Pas dështimit të Albin Kurtit për formimin e qeverisë, krerët e partive opozitare konfirmuan se do të marrin nesër pjesë në takim të ftuar nga presidentja, ku pritet të diskutohet situata politike dhe hapat e mëtejshëm.
Me poshtë po i japim të plota deklaratat e krerëve të partive opozitare:
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka thënë “po” ftesës së presidentes Osmani për takimin e nesërm.
Kështu tha për media Vlora Çitaku, deputete e PDK-së. “Po e kemi marrë ftesën dhe kryetari merr pjesë”, tha ajo.
Krasniqi, të dielën e hodhi poshtë mundësinë që të bëhet mandatar i radhës, në rast se presidentja do ta pyeste nëse e ka shumicën.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të marrë pjesë në takimin që presidentja Osmani e ka ftuar për nesër në 12:00.
Kështu tha zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa. “Po, merr pjesë”, tha ai shkurt.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj do të marrë pjesë në takimin e nesërm të thirrur nga presidentja Vjosa Osmani.
Këtë për media e konfirmoi zëdhënësi i i AAK-së, Kushtrim Xhemajli. “Po, do të marrë pjesë në takim”, tha Xhemajli.
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, do të jetë pjesë e takimit që e ka thirrë presidentja Osmani për nesër në ora 12:00.
Këtë e konfirmoi për media vetë Limaj në një përgjigje të shkurtë – “po”.
Ky takim vjen pas dështimit të 26 tetorit kur Kurti nuk arriti t’i marrë 61 vota për formimin e qeverisë “Kurti 3”.



