Mbrëmjen e djeshme, bashkia e Tiranës organizoi koncertin festiv “Tinguj & Fjalë, Koncert Simfonik i Natës së Krishtlindjes”, duke kthyer Sheshin Skënderbej në një skenë të hapur të muzikës klasike, elegancës dhe emocioneve të festës së shenjtë.
Nën drejtimin e dirigjentit Armand Broshka, Orkestra Sinfonike solli për publikun një program të pasur artistik, me vepra nga kompozitorë të mëdhenj si Bizet, Johann Strauss, Brahms, Dvořák, Mascagni, Verdi dhe Gruber, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë e festive në zemër të kryeqytetit.
Publiku shijoi interpretimet brilante të sopranos Eva Golemi, baritonit Armando Likaj, si dhe solistëve Edmea Krasniqi (violinë), Albana Kola (violinë) dhe Igert Zeqiri (violonçel), ndërsa drejtimi artistik u mbajt nga Ronald Gjura, raporton atsh.
Mbrëmja festive u ndoq nga qytetarë e vizitorë te huaj, të cilët përjetuan një Krishtlindje me muzikë të përzgjedhur në zemër të Tiranës.



