Man. Junajted po kalon një nga momentet më të vështira të viteve të fundit dhe trajneri Ruben Amorim ndodhet në qendër të kritikave pas një fillimi zhgënjyes në sezonin e ri të Ligës Premier.
Me vetëm katër pikë të grumbulluara në katër ndeshjet e para dhe një humbje të rëndë 3-0 ndaj Man. Sitit, pozita e tij është vënë seriozisht në pikëpyetje.
Bilanci i Amorimit është shqetësues, vetëm 8 fitore në 31 ndeshje që kur mori drejtimin e skuadrës dhjetë muaj më parë.
Tifozët janë të zhgënjyer dhe presioni për ndryshim është i madh.
Ndeshjet e ardhshme ndaj Çellsit, Brentfordit dhe Sanderlandit do të jenë vendimtare për të ardhmen e tij.
Një tjetër seri rezultatesh negative mund ta detyrojë klubin të marrë një vendim drastik përpara sfidës ndaj Liverpullit.
Sipas mediumit britanik “The Mirror”, pesë emra janë tashmë në listën e drejtuesve të klubit nga “Old Traford” për të zëvendësuar Amorimin.
Oliver Glasner, Marko Silva, Andoni Iraola, Garet Sauthgejt dhe Maurisio Poketinjo janë emrat që po përfolën për të marrë drejtimin e “Djajve të Kuq”.