Në një mëngjes pune (në njënga restorantet luksoze të kryeqytetit), Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, takuan përfaqësuesit e agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, të udhëhequr nga Koordinatorja Arnhild Spence.
Kurti deklaroi se “Qeveria e Kosovës ka gjetur zgjidhje ligjore për të bashkëpunuar me agjencitë e OKB-së duke mbrojtur sovranitetin dhe kushtetutshmërinë e Republikës”, duke nënvizuar se bashkëpunimi i deritanishëm ka qenë i frytshëm.

Gjatë takimit, fokusi ishte në projektet dhe prioritetet e përbashkëta, me theks të veçantë në zhvillimin ekonomik, mbështetjen ndaj bizneseve dhe turizmit në veriun e vendit. “Zhvillimi ekonomik dhe mbështetja për biznese, veçanërisht në pjesën veriore, janë prioritete kryesore”, tha Kurti. Po ashtu, u diskutua për përmirësimin e transportit urban për të rritur lidhjen mes qyteteve dhe lagjeve.
Kurti theksoi edhe arritjet e Qeverisë, duke përmendur “krijimin e 15 mijë vendeve të reja pune përmes platformës ‘Superpuna’ dhe rritjen e punësimit të grave, ku mbi 12 mijë gra janë mbështetur nga masat qeveritare.”
Në fund, Kryeministri falënderoi përfaqësuesit e agjencive të OKB-së për “bashkëpunimin e ngushtë dhe punën e përbashkët”, duke shpresuar për vazhdimin e projekteve që mbështesin zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës.
by: Storm-rks + portali i Qeverise se Kosoves