Reagimi i kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për shkarkimin e aksionarëve nga koalicioni i papritur PDK-VV: “Veprime destruktive kundër projekteve zhvillimore të Kryeqytetit”
Përparim Rama, kryetari i Prishtinës, ka reaguar fuqishëm ndaj lajmit ekskluziv të publikuar nga Storm-rks.com mbi bashkëpunimin e papritur mes PDK-së dhe VV-së për shkarkimin e aksionarëve të ndërmarrjeve publike “Trafiku Urban” dhe “Stacioni i Autobusëve”. Rama e cilësoi këtë veprim si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj projekteve të rëndësishme zhvillimore të Kryeqytetit.
Në një reagim publik, kryetari Rama tha se: “PDK dhe VV kanë ndërmarrë veprime që dëmtojnë qytetarët dhe të ardhmen e Kryeqytetit”, duke theksuar shkarkimin e aksionarëve të Stacionit të Autobusëve, si dhe ndryshimet në Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave.
“Sot, të gjithë qytetarët e Kryeqytetit dhe të Republikës së Kosovës ishin dëshmitarë të veprimeve destruktive të Vetëvendosjes dhe PDK-së në Prishtinë. Të bashkuar dhe në koordinim të plotë, ata votuan dy vendime që kanë pasoja të mëdha për Kryeqytetin dhe të gjithë qytetarët,” deklaroi Perparim Rama.

Dy vendimet kryesore që sipas Ramës dëmtojnë Prishtinën:
1. Shkarkimi i aksionarëve të Stacionit të Autobusëve – Rama theksoi se me këtë vendim ndalen projektet zhvillimore të rëndësishme në zonën përreth Stacionit, përfshirë “ndërtimin e Unazës Qendrore të Kryeqytetit dhe Fshatit Olimpik, pa asnjë kosto për buxhetin e Kryeqytetit. Ky shkarkim, sipas tij, ndalon investimet nga diaspora dhe pengon përparimin e Prishtinës.
2. Ndryshimi i Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave – Rama paralajmëroi qytetarët se ky veprim do të sjellë një rikthim të problemit të mbeturinave në gjendjen e rëndë që ka qenë para vitit 2023. Ai tha se situata ishte përmirësuar me kontraktimin e një operatori privat dhe menaxhimin më të mirë të kompanisë “Pastrimi”, por tani VV dhe PDK po përpiqen të rikthejnë kushtet e vështira që qytetarët kishin përjetuar më parë.
Rama përfundoi duke thënë se këto veprime janë një “pengesë për përparimin e Kryeqytetit”, dhe u bëri thirrje qytetarëve të Prishtinës të mos bien pre e interesave të ngushta politike që, sipas tij, po dëmtojnë të ardhmen e qytetit.
by: Storm-rks + burimet afër zhvillimeve