Në një mbrëmje ku dy piano u vendosën në qendër të skenës dhe dialogu muzikor u ndërtua mbi repertorin operistik, Opera e Kosovës solli para publikut një koncert me aranzhime për dy piano që ndërthuri vepra të njohura të operës me krijimtari shqiptare.
Programi kulmoi pikërisht me interpretimin e kompozimeve vendore, duke i dhënë koncertit një dimension të veçantë artistik.
Në skenë performuan pianistet Artemida dhe Elizabeta Qarri, të cilat përmes interpretimit të tyre ndërtuan një komunikim të vazhdueshëm muzikor mes dy instrumenteve.
Pianistet që performuan në këtë mbrëmje kanë vënë në pah specifikat e interpretimit në këtë format. Sipas tyre, performimi me dy piano kërkon një koordinim të veçantë dhe një ndjeshmëri të përbashkët interpretative. “Është një dialog i vazhdueshëm mes dy instrumenteve dhe kërkon një komunikim të saktë mes interpretuesve”, kanë theksuar ato, shkruan KultPlus.
Ndërkaq, Zëvendësdrejtori i Operës së Kosovës, Meriton Ferizi, ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së repertorit shqiptar në programin e mbrëmjes.
“Kemi menduar që në këtë program të përfshijmë edhe vepra shqiptare, në mënyrë që publiku të ketë mundësi të dëgjojë krijimtarinë tonë në një format tjetër interpretimi”, ka thënë ai.
Koncerti solli një ndërthurje mes repertorit ndërkombëtar dhe atij vendor, ndërsa interpretimi për dy piano krijoi një atmosferë të veçantë në sallë. Në këtë format, muzika operistike mori një dimension tjetër, ku energjia e orkestrës përmbush “komunikimin” e drejtpërdrejtë mes dy pianistëve.
Përmes këtij programi, Opera e Kosovës vazhdon të sjellë para publikut projekte që ndërthurin traditën operistike me krijimtarinë muzikore shqiptare, duke hapur hapësira të reja për interpretim dhe prezantim të këtij repertori në skenën vendore.



