Storm/Vjeshtë: Një shi i ngadaltë dhe i pandërprerë ka mbuluar rrugët e qyteteve tona sot. Kjo ditë e diel dhe e ftohtë, me erën që ngulfat çdo përpjekje për të dalë jashtë, është një pasqyrë e asaj që po ndodh edhe me realitetin tonë shoqëror. Në të njëjtën kohë që temperatura bie, duket se edhe marrëdhëniet njerëzore po pësojnë një ngadalësim dhe një ftohje të vazhdueshme me veten.
Në Ballkan, dhe në Kosovë veçanërisht, vjeshta, dimri dhe festat e fundvitit kanë qenë gjithmonë një kohë e veçantë, kur familjet mblidheshin dhe diaspora kthehej në atdhe për të sjellë jo vetëm ngrohtësinë njerëzore, por edhe atë financiare që shumë familje e prisnin me padurim. Mirëpo, vit pas viti, ky ritëm ka filluar të humbasë shkëlqimin e tij. Për shumë njerëz, kthimi për festat po bëhet gjithnjë e më i vështirë.
Arsyeja?
Nuk është vetëm një. Ndërsa një pjesë e diasporës tonë po plaket dhe ka filluar të rrënjoset më thellë në vendet ku ka emigruar, brezi i ri nuk ka më atë lidhje të fortë me atdheun, me të afërmit e mbetur. Për më tepër, ata po mbyllen përballë vetes dhe fillojnë një lloj urrejtjeje ndërnjerëzore, ku ndikimin e saj e ka politika e përditshme.
Festat e fundvitit, që dikur ishin një simbol i gëzimit dhe bashkimit, tani po kthehen në një përkujtim të asaj që kemi humbur. Pakësohen prurjet financiare nga diaspora, por ajo që dhemb më shumë është mungesa e pjesës njerëzore – shtëpitë e braktisura, rrugët bosh dhe sytë e atyre që dikur shpresonin t’i takonin edhe një herë të afërmit e larguar.
Ngrohtësia e atyre ditëve kur prindërit prisnin fëmijët e tyre të ktheheshin me zemrën plot dashuri, me çantat plot dhurata dhe me “xhepat” plot të ardhura, ka filluar të zëvendësohet me një ftohje të pamëshirshme. Kemi hyrë në një fazë ku ftohja nuk është vetëm fizike; është edhe emocionale-njerëzore. Shoqëria jonë, e cila dikur ishte e fortë dhe e ngrohtë, po përballet me sfida të thella: varfëri, mungesë shprese dhe izolim, ani pse sot kemi liberalizim vizash.
Moti i ftohtë që ndjejmë sot është një përkujtim i asaj që do të vijë – jo vetëm dimri klimatik, por edhe një dimër emocional, social dhe ekonomik që do të prekë më të varfrit ndër ne. Në prag të dimrit, kriza energjetike, rritja e çmimeve dhe humbja e burimeve të ardhurave nga diaspora do të jenë sfidat tona të përditshme. Këto janë çështje që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, por çfarë mund të bëjmë?
Ajo që na duhet tani është rikthimi i besimit dhe solidaritetit njerëzor. Ashtu si moti i ftohtë që bën që njerëzit të kërkojnë një strehë të përbashkët, edhe shoqëria jonë duhet të kërkojë bashkim në të gjitha çështjet dhe temat. Ndoshta nuk mund të ndryshojmë realitetin ekonomik të menjëhershëm, por mund të fillojmë me gjëra të vogla: të ndihmojmë njëri-tjetrin, të rikthejmë ndjenjën e përkatësisë dhe të mos harrojmë se, pavarësisht sa larg mund të jemi fizikisht, zemrat tona mund të ngrohen nga vepra të vogla mirësie që ruajnë anën njerëzore tonën, por edhe shtetin tonë, Kosovën, për të cilën dikur dhamë shumë.
Kjo e diel e ftohtë duhet të na kujtojë se, pavarësisht motit apo rrethanave, nuk duhet të lejojmë që ftohja të prekë shpirtin tonë. Kur fillon vjeshta, e ndjejmë edhe më shumë ardhjen e fundvitit; në të kaluarën ndjenim edhe aromat e festave që po afroheshin. Sot duhet të përpiqemi t’i rikthejmë ato ndjenja emocionalisht dhe t’i bëjmë këto festa një moment për të hedhur tutje trendin negativ – për të ringjallur atë solidaritet, humanitet dhe respekt ndërnjerëzor, për t’u afruar dhe për të treguar se, edhe në kohë të vështira, ngrohtësia njerëzore është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër. /Storm-rks