Kryeministri aktual që po konkurron edhe për një mandat, Albin Kurti ka insistuar se Kosova dhe qeveria e tij, i ka marrëdhëniet shumë të mira më SHBA-të.
Në intervistë për Top Channel, ai ka përmendur blerjen e armatimit dhe pjesëmarrjen në disa aksione të përbashkëta.
“Jam takuar para rreth një muaji e gjysmë me Jim Obrien, kemi marrëdhënie me ambasadën, me State Department. Jemi qeveria e parë që në siguri e mbrojtje e kemi zgjeruar bashkëpunimin. Kemi ble armatim dhe po zbarkojmë me SHBA-të në Kuvajt në mision të përbashkët. Kurrë ma të mira si kemi pas raportet. Opozita ka shku në Amerikë me fol keq për Kosovën edhe për mua sepse unë jam i fortë”.
Por, reagoi ashpër kur u pyet rreth kritikave nga Richard Grenell, duke e përmbyllur këtë temë me një fjalë të shkurtë.
“Gjithmonë do të ketë naj zyrtar amerikan që do të kritikoj”.
Për njohjet ka thënë se s’ka premtua, por e ka anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare.
Në këtë intervistë, Kurti ka thënë se nuk ka bërë presion në media, por ka shtuar se këto të fundit janë në hallë nga korporatat.
Ka sulmuar sërish Klan Kosovën dhe kompaninë Devolli, duke thënë se pronarët e saj janë të regjistruar në Serbi.
Në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar në Ohër, ka thënë se ishte e mirë.
Kur u pyet për mos vizitën e presidentit Thaci dhe të tjerët në Hagë, ai tha:
“Kam pas ndërmend me vizitu Thaçin në Hagë po nuk kam mendim aspak pozitiv për gjykatën, por kur kam marr vesh që për të shku në Hagë duhet ti mbushi një mori letrash, prandaj skam shku sepse i bjen që unë po e pranoj Gjykatën Speciale, i bie që unë t’i bëhem një lloj legjitimimi, faktorizimi”.
Kurti nuk ka hezituar të sulmoj sistemin e drejtësisë kur u pyet pse s’po i përgjigjet ftesës së prokurisë për intervistim.
“250 kallëzime penale ose kërkesa për hetim i kemi bërë në dy vitet e para të qeverisjes, asnjë s’e ngriti Prokuroria, si mund të bëhet fjalë për këtë, por kur vjen puna për rezervat në vlerë 20 mijë euro a është tharë pak gruri gjatë transportit, është çmenduri. Pse të shkoj, le të vijnë këtu, unë guxoj të them nuk vij, ata kanë qenë te politikanët tjerë edhe më keq kanë kalu. Nuk janë as me integritet personal e as profesional, ata njerëz kanë nevojë me dal në zgjedhje, le ta dalin le të vendos populli”, ka deklaruar Kurti, i cili nuk ka hezituar të kritikoj sërish Gjykatën Kushtetuese.
Është lëvduar se rryma është e lirë dhe që bizneset kanë pasur më shumë zhvillim, dhe mbështetje nga shteti.
Në lidhje me numrin e popullsisë, ka thënë se ikja më e madhe ka ndodhur në vitin 2014 dhe se tash mjekët po kthehen në Kosovë e do kthehen më shumë viteve në vijim.



