Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se gjatë kësaj jave do t’i nisë bisedimet për formimin e qeverisë Kurti 3.
“Dita e fundit kur do të mund të mbahet seanca ku unë mund ta prezantoj kabinetin qeveritar është 26 tetori, këto ditë jemi të përqendruar në analizën e zgjedhjeve lokale, por shumë shpejt, qysh këtë javë do të fillojmë edhe bisedat për qeverinë qendrore, sepse Kosovës i duhet edhe një mandat i qeverisë sonë. Neve na duhet një mandat i ri në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit…Duhet të kemi një mandat të rregullt i cili padyshim që do të fillojë posa ta nxjerrim në seancë Kuvendi përbërjen e re të qeverisë Kurti 3”, tha Kurti në konferencë për media.
Ai tha se nuk e presin 26 tetorin për ta formuar qeverinë.
“Unë tregova se kur është afati i fundit, kjo nuk d.m.th. që seanca për qeverinë e re do të jetë më 26 tetori, por 26 tetori është dita e fundit që mund të mbahet ajo. Në momentin që ne konsiderojmë që komunikimi dhe bisedat kanë rezultuar të suksesshme ne pa vonesë, nuk presim 26 tetorin, por 26 tetori është afati i fundit”, tha ai.
I pyetur në konferencën për media për se me kë prej partnerëve preferon ta formoj qeverinë e re, ai hezitoi të përgjigjet, duke thënë se duhet t’i lihet kohë komunikimeve dhe bisedave që do të zhvillohen.