spot_img
E enjte, 5 Mars, 2026
13:39
HomeKosovaKurti dhe Konjufca i kërkojnë opozitës një kandidaturë të dytë për president

Kurti dhe Konjufca i kërkojnë opozitës një kandidaturë të dytë për president

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se shpreson që do të paraqitet një kandidaturë e dytë për president të Kosovës, në ditën e fundit të afatit kushtetues për ta zgjedhur kreun e ri të shtetit.

Këtë deklaratë, Kurti e bëri pas mbledhjes solemne të Qeverisë, në mëngjesin e 5 marsit, për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

- Advertisement -

“Pasdite duhet t’i vazhdojmë përpjekjet që ta zgjedhim presidentin. Urojmë, besojmë, shpresojmë edhe në një kandidaturë të dytë, në mënyrë që ta përmbushim kërkesën kushtetuese për garë”, tha ai.

Aktualisht, i vetmi kandidat zyrtarisht i propozuar për president është Glauk Konjufca nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

- Advertisement -

Konjufca, zëvendëskryeministër aktual dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, tha pas mbledhjes së Qeverisë se do të ishte mirë që edhe opozita të dilte me një kundërkandidat.

“Partitë politike, PDK-ja [Partia Demokratike e Kosovës] dhe LDK-ja [Lidhja Demokratike e Kosovës], duhet të përcaktohen që, nëse nuk e votojnë Glauk Konjufcën, kë do ta votojnë? Për besë, nëse e propozojnë ndonjë emër, ndoshta edhe unë e votoj”, tha ai.

Sipas tij, opozita mund ta propozojë edhe presidenten aktuale, Vjosa Osmani.

Në nenin e Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit thuhet se presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para se të përfundojë mandati i presidentit aktual, që në rrethanat e tanishme është data 5 mars, para se Vjosa Osmani ta mbyllë mandatin e saj më 4 prill.

Kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u pyet nga gazetarët më 2 mars pse nuk po e propozon Osmanin, ai la të kuptohet se ajo nuk gëzon mbështetje të gjerë, duke thënë se “ne duhet t’i kemi 80 veta që qëndrojnë në sallë dhe votojnë minimalisht”.

“Prioritet absolut e kemi shmangien e zgjedhjeve të reja, duhet të sigurohemi që jo t’i kemi 80, por 84 apo 85”, tha Kurti.

Një kandidat duhet t’i sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvendin me 120 karrige, ndërsa kuorumi arrihet me 80 deputetë. Nëse në dy rundet e para një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61. /REL

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat