Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar rolin e mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar atë si hisedare historike në të gjitha arritjet e vendit.
“Mërgata jonë në Amerikë është hisedare historike për arritjet e rëndësishme të vendit tonë, nga organizimi, avokimi e lufta për çlirim, tek ekonomia, mirëqenia, demokracia e zhvillimi në paqe. I mirëpresim sa herë që vijnë në Kosovë. Na mirëpresin sa herë që shkojmë, kudo që janë”, ka shkruar Kurti.
Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë për Federatën Pan-Shqiptare “VATRA” dhe Shoqatën “PEJA” për pritjen e organizuar në SHBA, si dhe për kontributin e tyre të vazhdueshëm në dobi të Kosovës.