Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, theksoi rëndësinë e kërkimit të drejtësisë për ushtarët shqiptarë të vrarë gjatë periudhës së Jugosllavisë, në një forum të organizuar nga Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë.
Gjatë diskutimit, Kurti theksoi se historia e këtyre ushtarëve është e gjatë dhe e dhimbshme, duke nisur nga rasti i parë në korrik të vitit 1951, kur ushtari Ramadan Gashi u vra dhe asnjëherë nuk mori trupin e tij apo një shpjegim për vdekjen.
“Jemi bashkë në këtë forum për ushtarët e vrarë në Armatën e Jugosllavisë. Kjo histori është e shtrirë në një periudhë të gjatë. Rasti i parë ishte në korrik të vitit 1951, kur u vra ushtari i parë, Ramadan Gashi. Sot e asaj dite, nuk e kanë marrë trupin dhe asnjë shpjegim”, tha Kurti. Ai shtoi se vit pas viti, shumë ushtarë shqiptarë u vranë pa u njohur plotësisht dhe pa u ndjekur drejtësia për krimet e kryera nga shteti i Serbisë.
Kryeministri i Kosovës nënvizoi se institucionet e vendit njohin emrat dhe historitë e këtyre ushtarëve, dhe theksoi se ka 135 raste që do të evidentohen nga ky institut, i cili synon të sjellë më shumë dritë mbi këto ngjarje tragjike dhe të sigurojë drejtësi për viktimat.
Ky forum ishte një mundësi e rëndësishme për të kujtuar dhe vlerësuar sakrificat e ushtarëve shqiptarë dhe për të kërkuar njohje dhe dënim për krimet e kryera gjatë periudhës së Jugosllavisë.
Drejtori i këtij instituti, Atdhe Hetemi, theksoi rëndësinë e dokumentimit dhe kërkimit të drejtësisë për rastet e identifikuara të vrasjeve të ushtarëve shqiptarë në Armatën e Ish-Jugosllavisë .“Bëjmë një thirrje për ndërgjegjësim, dokumentim dhe përgjegjësi. Kjo seri forumesh ka për qëllim të sjellë në vëmendje kapituj që janë heshtur që shpesh janë anashkaluar nga kujtesa. Është përpjekja jonë për të krijuar një kujtesë të thellë dhe të qëndrueshme. Djemtë shqiptarë, shumica moshë e re, nuk ranë në lufte, por u vranë në paqe. Ky forum është hapi i parë i projektit që të zbulojë të vërtetën dhe është përpjekje për drejtësi. Instituti ynë nuk synon vetëm të përkujtojë, por edhe të ndërtohet një platformë institucionale”, tha Hetemi.



