Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka një emër të përveçëm për president.
Ai ka thënë se as PDK e LDK nuk kanë emër të përveçëm, prandaj, sipas tij, në ditët në vijim duhet të gjendet një kandidat që garanton 2/3 e deputetëve në sallë kur të hedhet në votim.
“Në njërën anë ne nuk kemi garuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit si Lëvizje Vetëvendosje me ndonjë emër të përveçëm që kemi thënë do të jetë kandidati ynë. Pra, LVV nuk e ka një anëtar me librezë partie që synon të bëhet president, por njësoj vlen edhe për dy partitë tjera të mëdha e tradicionale PDK dhe LDK që u konfirmua edhe nga takimi i mbrëmshëm që pata me Hamzën dhe sot me Abdixhikun”, tha Kurti.
Sipas tij, si parti politike nuk kanë pasur kandidat nga radhët e veta për president në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Andaj në vijim, ose duhet ta gjejmë një emër të përveçëm që na garanton të jenë së paku dy të tretat e deputetëve që qëndrojnë në sallë dhe votojnë duke përzgjedhur një emër të përveçëm në fletëvotim më së largu më 4 mars, ose subjektet politike merren vesh për rrugën përpara”, shtoi Kurti.
Tutje, Kurti e ka pranuar që përkundër se e kanë shumicën në parlament janë larg numrit 80, aq sa duhet për t’u zgjedhur presidenti i ri.
“Në mandatin e kaluar, në legjislaturën e nëntë, atëherë kur ende nuk isha zgjedhur dhe nuk u zgjodha dot, ka qenë irracionale të mos provohet të mos bëhen 61, sepse ishim shumë afër, ishim 56; LVV i kishte 48 dhe i kishim edhe 8 të tjerë të pakicave, 61 dukej afër. Kësaj radhe 61 u tejkalua kollaj, i kemi 66 si shumicë, 57 plus 9, por 80 është larg, nuk janë në pyetje 5 por 14, dhe 14 me kusht që nuk mungon asnjë”, tha Kurti.
Ai ka thënë se në ditët në vijim do t’i intensifikojnë bisedimet me partitë, pasi sipas tij për të pasur sukses zgjedhja e presidentit duhet që të arrihet numri 83 ose 85 deputetë.
“Vetëm njëri nëse mungon, automatikisht shkojmë në zgjedhje. Prandaj, realisht për të pasur sukses zgjedhja e presidentit, shfaqet e nevojshme t’i kemi diku 83 deri 85 deputetë. Jo 80 ose 81 sepse është rrezik i madh që mungojnë 1 ose 2 dhe nuk ia del dot e duhet të shkosh në zgjedhje në prill. Prandaj, na duhet një shumicë që i afrohet 85-shit më shumë se që ngelet te 80-shi. Kjo do të thotë se nuk është situatë e lehte, por në vijim do të intensifikojmë bisedimet”, nënvizoi Kurti.
Kurti tha se edhe LVV me LDK-në nuk është një formulë e sigurt që të tejkalohet kjo çështje dhe të mos detyrohen të shkojnë sërish në zgjedhje.



