spot_img
E mërkurë, 8 Prill, 2026
17:43
HomeKosovaKurti: Mosvotimi i Haxhiut, çështje gjinore – partitë janë patriarkale

Kurti: Mosvotimi i Haxhiut, çështje gjinore – partitë janë patriarkale

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), Albin Kurti, ka tentuar të paraqesë si çështje gjinore mosvotimin e Albulena Haxhiut si kryeparlamentare nga partitë tjera politike në Kuvend.

Duke aluduar në këto parti, Kurti i quajti ato “hierarki patriarkale të prapambetura” për shkak se s’po e japin votën e tyre për kryetaren e Këshillit të Përgjithshëm të Grave të Vetëvendosjes – Albulena Haxhiun.

- Advertisement -

“Më duhet të flas për situatën aktuale politike në të cilën ndodhemi sepse kjo situatë gjithashtu e reflekton përballjen me struktura hierarkike patriarkale të prapambetura”, tha Kurti në mbledhjen e këtij Këshilli të partisë.

Duke pretenduar se në Qeveri janë përpjekur që të kenë sa më shumë gra në role udhëheqëse, Kurti akuzoi deputetët e partive që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë se s’po e bëjnë të njëjtën në rastin e Haxhiut.

- Advertisement -

“Lufta kundër kryetares së GVV-së, Albulena Haxhiu, nuk është vetëm përplasje politike a partiake, por edhe përballje gjinore. Refuzimi për ta votuar atë si kryeparlamentare tregon frikën që elitat patriarkale kanë nga gratë e guximshme, të cilat sfidojnë status-quon”.

“Personalja është politike e politiken nuk mund ta shikojmë ndaras nga hierarkia sociale e patriarkale që mbretëron”, shtoi ai.

“Gruaja të cilën më së shumti e ka votuar populli në zgjedhjet e 9 shkurtit është Albulena Haxhiu. Në vend se ta respektojnë popullin e luftojnë Albulenën”.

“Dhe kush e bën këtë? E bëjnë edhe 10 deputetë që sot janë në opozitë dhe e kanë votuar ‘Zajednicën’ me 27 qershor 2013; po ashtu 10 deputetë që sot janë në opozitë e kanë votuar amnistimin e kriminelëve serbë në veri me 11 korrik 2013; më tej, 7 deputetë opozitarë sot, me 3 gusht 2015 e patën votuar Gjykatën Speciale; dhe, 15 deputetë opozitarë që janë tani e patën votuar demarkacionin me Malin e Zi me 21 mars 2018! E këta deputetë të papenduar për këto 4 votime aq të këqija nuk e votojnë Albulena Haxhiun, dhe bile ia pamundësojnë kuorumin Kuvendit për votim të fshehtë. 5 deputetë opozitarë i kanë votuar të katërtat këto të këqija, kurse Albulena Haxhiu asnjërën prej tyre”, tha Kurti.

Edhe më parë, disa deputetë të Vetëvendosjes janë munduar ta shfaqin si çështje gjinore mosdhënien e votës për Haxhiun nga partitë tjera.

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat