Storm/New York: Zryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur një tur takimesh diplomatike në New York, gjatë Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Takimet kanë përfshirë mikroshtete si Lihtenshtajni dhe Islanda, vende të cilat kanë mbështetur Kosovën në proceset integruese, por që nuk ndodhen në ballinat e diplomacisë ndërkombëtare.
Në një takim me Kryeministrin e Lihtenshtajnit, Daniel Risch, të zhvilluar në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në New York, Kurti u shpreh mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të këtij vendi të vogël, duke diskutuar për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Për t’i dhënë më shumë ngjyra takimeve, Kryeministri i Kosovës zhvilloi edhe bisedime me Kryeministrin e Islandës, Bjarni Benediktsson, duke premtuar se bashkëpunimi me vendet e EFTA-s do të çojë në tregti të reja dhe marrëveshje të favorshme ekonomike.
Pjesë e axhendës së tij ishte edhe një takim me Drejtoreshën Menaxhuese të FMN-së, Kristalina Georgieva, e cila përgëzoi Kosovën për arritjet e saj në qëndrueshmërinë fiskale dhe menaxhimin e borxhit publik. Por, përtej statistikave, pyetja qëndron nëse Kosova do të përfitojë realisht nga këto lavdërime diplomatike.
Ndërkohë, në cilësinë e Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje!, Kurti mori pjesë në Presidiumin e Internacionales Socialiste, ku diskutoi vlerat socialdemokrate, të rrënjosura në solidaritet dhe barazi. Takimi u kryesua nga Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, i cili, ironi më vete, përfaqëson një vend që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Takimet dhe fjalimet vazhdojnë, me një dozë të theksuar të fokusit në shtetet e vogla dhe mbledhjet ideologjike, duke ngritur pikëpyetje nëse kjo agjendë do të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët e Kosovës apo thjesht shërben për të zgjeruar rrjetin diplomatik të Kryeministrit / Storm-rks