Mandatari për formimin e Qeverisë së re, Albin Kurti, ka paraqitur ekspozenë në Kuvendin e Kosovës.
Kurti:Kemi zhvilluar e ndërtuar një Kosovë më të drejtë e gjithëpërfshirëse
Mandatari për formimin e Qeverisë së re, Albin Kurti, tha para deputetëve se sipas tij, pesë vitet e fundit, duke përfshirë edhe një vit si qeveri në detyrë, kanë zhvilluar e ndërtuar “një Kosovë më të drejtë, më të fortë dhe më gjithëpërfshirëse”.
Kurti për procesin gjyqësor në Hagë: Orvatje që bie ndesh me të vërtetën
Mandatari për formimin e Qeverisë së re, Albin Kurti e ka ekspozenë e tij para deputetëve të legjislaturës së dhjetë duke përmendur procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Kërkesa e Prokurorisë (ZPS) për dënimin prej 45 vitesh për secilin, ku përfshihen edhe pretendimet për krimet kundër njerëzimit është orvatje që bie ndesh me të vërtetën dhe mohon kontekstin historik e politik të luftës sonë çlirimtare”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se barazimi mes drejtuesve të UÇK-së dhe të një regjimi gjenocidal është shtrembërim faktik e historik, i padurueshëm për familjet e viktimave.
Kurti: Do të normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë me dialogun konstruktiv
“Normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do ta ndjekim përmes dialogut konstruktiv, marrëveshjes bazike të Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit. Normalizimi është çështje e rregullimit të marrëdhënieve mes dy shteteve si raport i jashtëm, e jo ndërhyrje në çështje të brendshme”, shtoi Kurti.
Reforma në drejtësi: Kurti përmend themelimin e Prokurorisë së specializuar për krim e korrupsion
“Ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme duhet të ecë përpara së bashku me vetingun, ashtu që drejtësia të bëhet edhe e drejtë, edhe e shpejtë, edhe e besueshme. Do të themelohet prokuroria e re e specializuar për çështje të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe zyra për hetime disiplinore”, ka premtuar ai.
Kurti më tej ka thënë se do të thellojnë reformën në transformimin digjital, duke mundësuar që sipas tij, çdo qytetar “të komunikojë me shtetin pa barriera, në mënyrë të shpejtë, efikase dhe transparente, që nga aplikimi për dokumente, deri te shërbimet sociale dhe biznesore”.
“Digjitalizimi është mjet për t’i shërbyer çdo qytetari dhe do të përdoret për progres shoqëror, zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, llogaridhënie të gjerë dhe cilësi të lartë. Në mandatin që po lëmë pas eksportet dhe investimet e huaja direkte u dyfishuan, por tani është koha të shumëfishohet prodhimi. Përgjatë katër viteve në vazhdim do të investojmë rreth 1 miliard euro në prodhim përmes garantimit të kredive për investitorët”, tha ai.
Kurti: Në mandatin e ardhshëm do të ketë dyfishim të shtesave për fëmijë
Mandatari për formimin e Qeverisë së re, Albin Kurti tha se sfidat e inflacionit i kanë përballuar me politika mbështetëse për qytetarët, teksa përmendi rritjen e punësimeve dhe të pagës minimale.
“Pesë vitet e fundit, pothuajse një vit në qeveri në detyrë pra pa kompetenca të plota, kemi zhvilluar e ndërtuar një Kosovë më të drejtë, më të fortë dhe më gjithëpërfshirëse. Kemi pasur rritjen ekonomike më të mëdha në rajon pavarësisht pandemisë, kriza energjetike dhe inflacioni, me një rritje mesatare prej 6% të bruto produktit vendor, duke mos rënë asnjë vend ndër 4%”, tha Kurti.
Kurti tha se në mandatin e ardhshëm do të ketë dyfishim të shtesave për fëmijë. Ai foli edhe për sfidat e vazhdueshme nga Serbia përmes sulmeve të ndryshme, teksa tha se këtë e përkthyen në investim në siguri të vendit.
400 milionë euro investim për pesë diga të reja me ujë
“Ne do të investojmë 400 milionë euro për të ndërtuar pesë diga të reja, të cilat do të mbledhin dhe menaxhojnë burimet ujore. Përmes këtyre investimeve do të sigurojmë furnizim të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët dhe amvisëritë, do të rrisim rezistencën tonë ndaj ndryshimeve klimatike”, tha Kurti.



