spot_img
E diel, 12 Prill, 2026
19:36
HomeKosovaKurti planifikon shtimin e numrit të ministrive

Kurti planifikon shtimin e numrit të ministrive

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Kur ishte në opozitë, por edhe në fillimet e para të qeverisjes, Albin Kurti, trumbetonte ndjekjen e një politike që garanton racionalizim të shpenzimeve të parasë publike.

Në këtë frymë, asokohe ai premtonte një kabinet të reduktuar qeveritar me vetëm 12 ministri, si shenjë kursimi dhe efikasiteti institucional.

- Advertisement -

Mirëpo, me kalimin e viteve në pushtet, strategjia e tij qeverisëse mori rrjedhë tjetër. Nga ideja fillestare për 12 ministri, numri i tyre u rrit në 15, ndërsa në mandatin e tretë në tentativë, Kurti synoi t’i zgjerojë ato në 19- pra, për katër më shumë se aktualisht.

Nëse dikur Kurti e justifikonte zvogëlimin e ministrive me nevojën për të ulur shpenzimet publike dhe për të krijuar një qeveri më të përqendruar e më efikase, tani nga partia e tij, Vetëvendosja, ky veprim argumentohet si instrument “për mirëfunksionim të ministrive”.

- Advertisement -

Në thelb, megjithatë, ndryshimi i këtij qëndrimi pasqyron transformimin e qasjes së tij politike: nga retorika e reformës e racionalizimit institucional, në një praktikë më konvencionale të zgjerimit të pushtetit ekzekutiv. Njohësit e administratës publike vlerësojnë se 19 ministri janë shumë për një shtet si Kosova, dhe për pasojë do të shkaktonin jo vetëm barrë financiare dhe do të “fryhej” struktura qeveritare.

“12 ministri është qëllimi jonë. Poashtu do të jetë një Qeveri shumë më e vogël. Paramendoni sa njerëz janë këtu sot me mua (mbrapa kishte rreth 9 persona). Paramendoni vetëm 2 ministra dhe 2 zëvendësministra më shumë. Kaq do të jetë kabineti”- pati premtuar Kurti në vitin 2019 në “DebatPërnime”. Megjithatë, numrin e ministrive e kishte rritur menjëherë në 15, pas marrëveshjes së koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Në anën tjetër, numri dy i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i cili së fundmi u propozua për zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, pati thënë se me VV-në në pushtet do të ketë konceptim të ri të shtetit duke pasur fjalën për uljen e numrit të ministrive.

“Qoftë edhe për një votë në Kuvend ka ndodhur se është krijuar një ministri e re. Në vend të asaj që të kuptohej si instrument i shërbimit ishte kthyer në monedhë kusuritjesh mes liderëve për krijimin e qeverive. VV-ja erdhi me koncept të ri për reduktim masiv të Qeverisë. E kemi realizuar. Patëm ardhur tek numri 15, por kur ke parasysh se është reduktim rreth 30 % i masës së përgjithshme është veprim për t’u përshëndetur”- pati deklaruar Konjufca në Interaktiv më 13 maj 2020, duke e cilësuar këtë si një arritje për 100-ditëshin e Qeverisë.

Madje, Konjufca ishte shprehur se VV-ja beson se përmes këtij kontributi ka sjellë trashëgimi të vlefshme sa i përket dinjitetit e integritetit të institucioneve publike që duhet të shihen si instrumente për shërbime e jo se dikush po mbetet pa post.

“Shpresojmë që kjo traditë të ruhet, e të mos kemi rikthim në gjendjen e keqe të kaluar ku numri i ministrive pati shkuar në 21”- kishte thënë ai.

Mirëpo, tash, fjalët janë ndryshe.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati e arsyetoi numrin 19 të ministrive me atë që ai e quan “mirëfunksionimin e ministrive dhe sinergjitë që mund të krijojnë bashkimet e departamenteve të ndryshme.”

“Sa i përket ministrive, kjo ka të bëjë më tepër me mirëfunksionimin dhe vlerësimin se si ministri të caktuara, disa që janë bashkuar kanë funksionar mirë, vazhdojnë të jenë të tilla. Disa është parë se mund të ketë bashkëdyzime të ndryshme, mirëpo nëse nuk gaboj kanë qenë dy ose tri që është dashur të ndahen, në mënyrë që të ketë funksionim me sinergji më të madhe”- tha Murati pas dështimit të zgjedhjes së Qeverisë Kurti III, që arriti të marrë 56 vota nga 61 sa duhet gjithsej.

Barrë financiare për shtetin

Mexhide Demolli, drejtore e Lëvizjes “FOL” që merret me promovimin e transparencës dhe llogaridhënies në institucionet publike, vlerëson se propozimi i Kurtit për 19 ministri në Qeverinë “Kurti 3” i cili nuk u votua nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, përbën një kthesë nga qëndrimi i dikurshëm i Kurtit, ku para se të vinte në pushtet kishte deklaruar se synonte ta zvogëlonte numrin e ministrive në 12 ministri.

Demolli thotë se rritja në 19 ministri do të sillte shpenzime shtesë për buxhetin e shtetit, duke llogaritur pagat e ministrave të rinj, zëvendësministrave, stafit dhe këshilltarëve politikë, që për katër ministri shtesë, sipas përllogaritjeve fillestare do të kushtonin më shumë se gjysmë milioni euro në vit, pa përfshirë shpenzimet tjera përcjellëse.

“Prandaj, kjo rritje do të ishte e vështirë për t’u arsyetuar në një vend si Kosova, ku fokusi duhet të jetë rritja e efikasitetit të administratës, dhe jo fryrja e strukturës së qeverisë”- tha ajo për KALLXO.com.

Sipas saj, rritja e numrit të ministrive më tepër shihet si një akt për të ngopur apetitet e partnerëve të koalicionit, sesa si domosdoshmëri funksionale.

“Qeveritë e kaluara kanë argumentuar se 15 ministri janë të mjaftueshme për të mbuluar nevojat e shtetit, ndërsa çdo zgjerim tjetër do të duhej të justifikohej me rezultate konkrete, jo me balancime politike”- shtoi ajo.

Edhe Njomza Arifi, drejtore e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) vlerëson se Kosova është shtet i vogël për të pasë një numër aq të madh të ministrive dhe se vazhdimisht kanë avokuar për një numër të arsyeshëm të ministrive që do mundësonin funksionimin optimal të qeverisë.

Sipas saj, numri i ministrive duhet përcaktuar përmes një analize të funksioneve që i ka pushteti ekzekutiv dhe shpenzimit të parës publike në anën tjetër.

“Ndryshimet e bëra në vitin 2020 dhe 2021 të bazuara në çelësin kryesisht politik, pa ndonjë analizë të funksioneve dhe nevojave në praktikë, kanë prodhuar mjaftë pasoja sidomos tek bashkimi i ministrive, ku shumica prej tyre edhe pas 5 vitesh kanë ende struktura të dyfishta duke dëmtuar kështu edhe paranë publike”- përfundoi ajo për KALLXO.com.

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat