spot_img
E enjte, 19 Mars, 2026
18:20
HomeKosovaKurti tha “s’ka Zajednicë”, Behrami: Dëmet ndaj vendit janë të pariparueshme

Kurti tha “s’ka Zajednicë”, Behrami: Dëmet ndaj vendit janë të pariparueshme

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot, gjatë një deklarimi për media tha se edhe pesë vite pas qeverisjes së tij, ende nuk është formuar asociacioni, të cilit iu referua me termin “Zajdenica”.

“Këto pesë vite sa jam kryeministër shpeshherë eksponentë të opozitës kanë thënë që ‘e bëri Zajednicën këtë muaj’, ‘do të bëjë Zajednicën muajin e ardhshëm’, por ju e dini që pesë vjet janë 60 muaj, nuk ka Zajednicë’’, tha sot Kurti.

- Advertisement -

Lidhur me këtë deklarim, ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami. Ky i fundit në postimin e tij, ka thënë se kryeministri gjatë kësaj periudhe e ka pranuar Zajdenicën, kurse implementimin e saj, ka shtuar Behrami, Kurti e ka filluar që nga marrëveshja e Ohrit.

Behrami, po ashtu, në postimin e tij e ka ndarë edhe letrën e tre liderëve shtetërorë, Albin Kurtit, Glauk Konjufcës, e Vjosa Osmanit, në të cilën, ata ishin zotuar për respektim të marrëveshjeve së Brukselit dhe të Ohrit.

- Advertisement -

‘‘Në këta 60 muajt e fundit, Albin Kurti më pak se tri herë e ka pranuar Zajednicën. Ndërsa, implementimin e saj e ka filluar që nga nënshkrimi i saj në Ohër.

Ama, zotimin në letër, me nënshkrim, me logo dhe vulë të shtetit të Kosovës e ka dhënë në këtë dokument!

Ti vazhdo me rima e me algjebra, ama dëmet që ia ke bërë Republikës së Kosovës janë të pariparueshme!’’, ka shkruar ai mes tjerash.

Ndryshe, dy vite më parë, Kurti, Konjufca e Osmani, i dërguan letër, raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakojanis, ku zotoheshin se Kosova do të respektonte të gjitha pikat nga marrëveshjet e lartpërmendura.

“Në këtë kontekst, duke e marrë parasysh dhe mbi bazën e së drejtës kushtetuese të Kosovës, ne do të donim që ta shfrytëzojmë këtë mundësi për t’ju informuar se ne do ta respektojmë besnikërisht listën e zotimeve të treguar në Shtojcën I të letrës suaj të datës 21 mars 2024 pas bërjes së Kosovës shtet anëtar i Këshillit të Evropës. Ne ju falënderojmë për bashkëpunimin tuaj, përderisa presim që ta fuqizojmë bashkëpunimin përmes anëtarësisë së plotë në Këshillin e Evropës”, thuhej në letër mes tjerash.

Në lidhje me të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e komuniteteve jo-shumicë, në letrën e Bakojanis ku Kosovës i kërkohej të respektoj disa çështje, ishte renditur çështja e Marrëveshjes Bazike të Brukselit, ku përmendet me urgjencë themelimi i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

“Ta sigurojmë zbatimin efikas të kornizës ligjore për mbrojtjen e pakicave kombëtare; Të bëjmë hapa substancialë e të prekshëm me synim të zbatimit të të gjitha neneve të Marrëveshjeve të Brukselit dhe të Ohrit, që e përfshin themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sa më shpejt që është e mundshme; Ta adresojmë urgjentisht mungesën e një qasjeje gjithëpërfshirëse e të bashkërenduar për çështjet dhe të drejtat e pakicave. Një qasje e tillë duhet të zhvillohet dhe të zbatohet në bashkëpunim me të përfshirët dhe në mënyra që i pasqyrojnë nevojat specifike të komuniteteve të ndryshme”, thuhet në shtojcë, duke u përmendur edhe burimet adekuate për Zyrën e Komisionarit të Gjuhëve.

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat