Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka pritur në një takim zyrtar ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për forcimin e mëtejmë të partneritetit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Gjatë këtij takimi, vëmendje e veçantë iu kushtua nxitjes së mundësive të reja për investime dhe rritjes së besimit të diasporës për të investuar në atdhe, duke e pozicionuar Kosovën si një destinacion konkurrues për industrinë dhe ndërmarrësinë.
Kusari-Lila e njoftoi ambasadorin Hargreaves për progresin në zhvillimin e 12 zonave industriale ‘të gjelbra”, të cilat pritet të ofrojnë kosto të ulëta operimi, qira afatgjata dhe shërbime të integruara përmes partneriteteve publiko-private.
“Në fokus mbeten investimet dhe politikat tona në efikasitet energjetik, energji të ripërtëritshme dhe menaxhim të qëndrueshëm të ujit, në përputhje me standardet e BE-së dhe përgatitjet për CBAM 2027”, deklaroi ministrja.
Reformat ligjore dhe sektorët kyç Ministrja nënvizoi përkushtimin e Qeverisë për përmirësimin e kornizës ligjore dhe rregullatore, me synim adresimin e sfidave të tregut dhe garantimin e një konkurrence të ndershme. Bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar vlerësohet si strategjik në sektorë si energjia, minierat, teknologjia dhe mbrojtja.
“Kosova mbetet e hapur për investime, e përkushtuar ndaj reformave dhe e gatshme për një të ardhme ekonomike të qëndrueshme me partnerët tanë ndërkombëtarë”, shtoi Kusari-Lila, duke theksuar synimin për zgjerimin e mundësive për produktet kosovare në tregun britanik.



