Në debatin e parë dhe me gjasë të vetmin mes dy kandidatëve për postin e zëvendëspresidentit mes Tim Walz nga Demokratët dhe JD Vance nga Republikanët, votuesit që ndoqën debatin e transmetuar të martën mbrëma thanë se ishte një përballje pothuajse e barabartë dhe se toni i debatit ishte pozitiv.
CBS News që organizoi këtë përballje, anketoi votuesit në mbarë Amerikën.
Sipas rezultateve, dyzet e dy përqind e respotentëve thanë se republikani Vance fitoi debatin, ndërsa 41% menduan se Walz doli si fitues, kurse shtatëmbëdhjetë për qind e cilësuan debatin e barabartë.
Kandidatët u vlerësuan të barabartë për disa nga çështjet që u ngritën në debat, duke përfshirë ekonominë dhe konfliktin në Lindjen e Mesme.
Walz shihej si më i mirë për të folur për kujdesin shëndetësor dhe abortin, ndërsa Vance kishte avantazhin për emigracionin.
Të dy kandidatët përmirësuan imazhin e tyre të përgjithshëm me votuesit që nga para debatit.
Më shumë respodentë kishin një pikëpamje negative për Vance-n para debatit, por pas debatit, pak më shumë kishin një pikëpamje të favorshme për të sesa përpara.
Qytetarët që kishin ndjekur debatin thanë se Vance shpenzoi më shumë kohë duke sulmuar Kamala Harris dhe Tim Walz sesa duke shpjeguar pikëpamjet e tij.