spot_img
E premte, 26 Dhjetor, 2025
02:38
HomeRajoniShqipëriaKush është kreu i ri i SPAK-ut?

Kush është kreu i ri i SPAK-ut?

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Prokurori Klodian Braho u zgjodh kryetar i SPAK me 7 vota të anëtarëve të KLP.

Kandidati tjetër Adnan Xholi mori 3 vota. 1 votë shkoi për Elvin Gokaj. Ndërsa Doloreza Musabelliu nuk mori asnjë votë.

- Advertisement -

Klodian Braho do të ketë një mandat 3-vjeçar si drejtues i SPAK, duke pasuar në këtë detyrë Altin Dumanin.

Braho do të marrë pikërisht detyrën nga Dumani në 19 dhjetor për të nisur më pas zyrtarisht ushtrimin e funksionit si drejtues i Prokurorisë së Posaçme.

- Advertisement -

Votimi në KLP

Klodian Braho – 7 vota

Adnan Xholi – 3 vota

Elvin Gokaj – 1 votë

Doloreza Musabelliu – Asnjë votë

Seanca në KLP zgjati 6 orë, ndërsa të katër kandidatët shpalosën platformat e tyre për drejtimin e SPAK.

Klodian Braho u lind në Skrapar më 21 korrik 1982. Në vitet 2000-2004, Braho kreu studimet në Fakultetin e Drejtësisë dhe në 2005-2008 studioi në Shkollën e Magjistraturës. Ai mori emërimin më 14 nëntor 2007.

Braho ishte prokuror i SPAK dhe u emërua në këtë institucion më 19 dhjetor 2019, pas konfirmimit në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në kuadër të procesit të rivlerësimi ose ndryshe siç quhet, procesi i vettingut.

Braho ka hyrë në sistemin e drejtësisë më 14 nëntor 2007, pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Shkollën e Magjistraturës.

Karrierën si prokuror e nisi në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, ku punoi deri në vitin 2012.

Më pas u transferua në Prokurorinë e Vlorës, ku ushtroi detyrën deri në vitin 2015, përfshirë një periudhë si zëvendësdrejtues i këtij institucioni.

Në vitin 2015, Braho u emërua në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë, ku u përfshi në hetime të çështjeve me karakter të veçantë penal. Pas shpërbërjes së kësaj prokurorie dhe krijimit të SPAK, ai u emërua prokuror në strukturën e re.

Dosjet e nxehta që ka hetuar
Gjatë karrierës së tij, Klodian Braho ka qenë pjesë e hetimeve që lidhen me zyrtarë të lartë dhe subjekte të dyshuara për krim të organizuar. Ndër dosjet që ka ndjekur përmendet ajo ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, dosja Toyota Yaris, 5 D si dhe kryesuar hetimet për ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj.

Gjithashtu, ai ka hetuar inceneratorin e Elbasanit, duke nxjerrë urdhër arresti për shumë persona mes të cilëve Mirel Mërtiri, Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe duke ndarë hetimin për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati. Braho kryesoi hetimet edhe ndaj ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka. Ai ka hetuar edhe ish-kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika.

Në vitin 2022, Klodian Braho u përfshi në procesin e kandidimit për postin e kreut të SPAK, por më pas u tërhoq nga gara.

Në mars të vitit 2023, Braho dha dorëheqje nga një pjesë e një dosjeje që kishte në hetim, në lidhje me çështjen e inceneratorëve, pas pretendimeve të ngritura nga palë të përfshira për mungesë transparence në veprimet procedurale.

Në 2025, Braho ishte kandidati i parë që shpalli kandidaturën për kreun e SPAK.

Ka pasur këto detyra:
14.11.2007-2012/ Prokuror pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat.
2012-2015/ Prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
2014-2015/ Zv.drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
2015-19.12.2019/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.
Nga 19 dhjetori 2019 dhe aktualisht është prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat