spot_img
E mërkurë, 25 Mars, 2026
10:12
HomeKosovaKush përfiton nga heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës?

Kush përfiton nga heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës?

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Pas gati tre vjetëve, Kosovës nuk i rëndon më pesha e masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian ia vendosi për shkak të tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Lajm edhe më i mirë është se përfituesit më të mëdhenj janë qytetarët e Kosovës, pasi lëshimi i fondeve pritet të ndikojë, mes tjerash, edhe në hapjen e vendeve të reja të punës.

- Advertisement -

Autoritetet në Kosovë i kanë cilësuar masat vazhdimisht si të padrejta, pasi deklaronin me bindje se i kishin plotësuar kohë më parë kërkesat e BE-së për heqjen e tyre: uljen e tensioneve dhe zvogëlimin e pranisë policore afër objekteve të katër komunave në veri të Kosovës.

Masat patën kosto të konsiderueshme financiare për Kosovën, pasi u pezulluan apo u shtynë projekte të ndryshme në kuadër të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA II dhe III), si dhe Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

- Advertisement -

Përfitimet kryesore

Njomza Arifi, drejtoreshë ekzekutive në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se në dhjetor të vitit 2025 u liruan 216 milionë euro që lidheshin kryesisht me arsimin, sikurse është skema e bursave Young Cell dhe projekte infrastrukturore e mjedisore.

Young Cell ofron bursa për të rinjtë që dëshirojnë të studiojnë në vendet evropiane. Këtë muaj, kjo skemë përmbylli aplikimin për 37 bursa të plota pasuniversitare. BE-ja i ka ndarë 3 milionë euro, ndërsa Kosova 1 milion shtesë.

Te projektet infrastrukturore përfshihet ndarja e 12 milionë eurove për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në termocentralin Kosovën B, mbështetja për ngrohjen qendrore me 17.6 milionë euro si dhe projekte të tjera.

“Pjesa e mbetur prej 205 milionë eurosh që u lirua këto ditë përfshin kryesisht fonde të IPA-s dhe të WBIF-it dhe do të programohen për të mbështetur reforma të ndryshme që ndërlidhen kryesisht me fushat thelbësore siç janë sundimi i ligjit, qeverisja e mirë, zhvillimi ekonomik, dhe arsimi”, thotë Arifi për REL-in.

Për Rrona Zhurin, koordinatore e hulumtimeve në Institutin për Studime të Avancuara – GAP, heqja e masave mundëson rikthimin e normalitetit në raportet me BE-në.

“Lirimi i fondeve pritet të ketë një ndikim të gjerë pozitiv në disa dimensione të zhvillimit. Në aspektin ekonomik dhe të punësimit, rifillimi i projekteve kapitale dhe investimeve pritet të gjenerojë vende të reja pune dhe të rrisë aktivitetin ekonomik në vend. Njëkohësisht, në fushën e shërbimeve publike, sektorë si energjia, mjedisi dhe infrastruktura do të përfitojnë drejtpërdrejt, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët”, thotë Zhuri.

Sipas saj, ndikimi i lirimit të fondeve shtrihet edhe në reformat strukturore, pasi fondet e Bashkimit Evropian zakonisht lidhen me kushte të caktuara reformash, duke nxitur përparim në fusha të rëndësishme sikurse sundimi i ligjit, administrata publike dhe zhvillimi i qëndrueshëm.

E, Arifi beson se pikërisht këto reforma e përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve.

“Prandaj përfitues të këtyre fondeve natyrisht që janë qytetarët e Kosovës, në përgjithësi. Si të tilla, ndihmojnë vendin për të shënuar progres në rrugën evropiane, duke mbështetur procese reformuese që ndërlidhen ngushtë me parakushtet për anëtarësim në BE”, thotë ajo.

Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk e gëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Aplikimi që ka bërë vendi më 2022, nuk është shqyrtuar ende nga institucionet e bllokut evropian.

Pasojat e masave

Përveç bllokimit të fondeve, masat e prekën edhe aspektin politik, meqë pati kufizime të takimeve dypalëshe të nivelit të lartë dhe në nivelin e nënkomiteteve të lidhura me Marrëveshjen e Stabilizim – Asocimit, marrëveshjen e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së.

Megjithatë, Brukseli ka sinjalizuar se synon riangazhim të plotë me autoritetet në Kosovë.

Arifi beson se kështu do të krijohet momentum i ri në dialogun e ndërsjellë me BE-në, pasi masat patën “ndikim negativ në kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës”.

Edhe Rrona Zhuri beson se masat i humbën shumë mundësi Kosovës.

“Çdo vonesë apo pezullim i projekteve nënkupton shtyrje apo humbje e mundësive për zhvillim, përmirësim të mirëqenies së qytetarëve, forcim institucional dhe vonesë në procesin e integrimit evropian”.

Sipas një hulumtimi të GAP-it të vitit 2025, masat financiare rezultuan me 613.4 milionë euro projekte të pezulluara apo të shtyra, dhe sektori më i goditur ishte ai i mjedisit me 350 milionë euro.

Sipas njohëseve të këtyre çështjeve, realiteti i ri duhet të shërbejë si shtysë për përparim në fusha që lidhen me integrimin evropian.

“Mbetet shumë e rëndësishme që Kosova ta shfrytëzojë këtë moment pozitiv për t’i përshpejtuar proceset integruese, duke shmangur bllokimet e mëtutjeshme nga krizat e brendshme politike”, porosit mes tjerash Njomza Arifi. /REL

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat