Sot sërish mblidhen deputetët e Kuvendit të Kosovës në përpjekjen e radhës për konstituimin e legjislaturës së 9-të.
Ndryshe, të premten Kuvendi i Republikës së Kosovës u mblodh në vazhdimin e radhës të seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë.
Në hapje të vazhdimit të seancës kryesuesi Avni Dehari ftoi përfaqësuesit e subjekteve politike për një konsultë, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Pas takimit konsultativ, kryesuesi Dehari njoftoi deputetët se përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike në takim ishin të mendimit që të ndërpritet vazhdimi i seancës.
“Pasi të mbahet të shtunën takimi i liderëve politikë, i ftuar nga subjekti më i madh, të vazhdojmë seancën më 29 qershor, në orën 11:00”, theksoi kryesuesi Dehari.
Takimi i thirrur nga kryeministri në detyrë dhe lideri i VV-së, Albin Kurti, me krerët e partive politike, përfundoi pa ndonjë marrëveshje për tejkalimin e krizës institucionale.
Deklaratat pas takimit dëshmuan se dalja nga ngërçi politikë duket ende e largët edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se ka ofruar dy opsione kompromisi në takim.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se vetë mbajtja e takimeve është pozitive, por se sipas tij “më pozitive do të ishte nëse Kurti do ta kuptonte që përgjegjësia e tij është më e madhe se e të gjithëve, dhe se vetëm atij dhe grupit më të madh parlamentar aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i ka dhënë detyrim për të gjetur konsensus ose kompromis”.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se “takimi ishte më tepër farsë publike se sa substancial”, pasi sipas tij qëndrimet e Kurtit ishin pak a shumë të njëjta.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pranuar asnjë ofertë të partive parlamentare që ishin deri tash në opozitë, për dalje nga ngërçi në Kuvend.
Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate, ka thënë se takimi i liderëve partiakë më shumë ka qenë rreth këndvështrimeve për aktgjykimin sesa për zgjidhjen e situatës.
Bashëkryetari i Listës Guxo, Faton Peci, tha se në takim pati diskutime konstruktive nga disa akterë dhe u shpreh optimist se në javët në vazhdim do të ketë marrëveshje për konstituimin e Kuvendit.