Ngjarja më e rëndësishme studimore që organizohet nga Qendra e Studimeve dhe e Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), është Kuvendi i Studimeve Arbëreshe.
Edicioni i tretë i këtij kuvendi dyvjetor, do të zhvillohet në fund të këtij muaji. Kuvendi i Tretë i Studimeve Arbëreshe përkon me pesëvjetorin e themelimit të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA).
Tema qendrore e këtij edicioni është “Narrativa të së shkuarës dhe së tashmes në dialektikën diasporë–vendi amë: Arbëreshët dhe Shqipëria”. Trajtimi i kësaj teme që përbën rëndësi për kombëtarinë, diskutohet për herë të parë në qarqet akademike shqiptare. Tema mëton të hedhë dritë, përmes interpretimesh shkencore të shkollave të reja të mendimit, mbi marrëdhënien e vendit amë, Shqipërisë, me komunitetin arbëresh, si dhe mbi dialektikën dhe dimensionet komplekse të diasporës dhe vendit të origjinës.
Dr. Giuliana B. Prato, profesoreshë në Universitetin e Kentit në Mbretërinë e Bashkuar, do të mbajë një Lectio Magistralis me temë: “Shaping New Albanian Identities: From Arbëresh Diaspora to Contemporary Expatriates”, e cila do të ndiqet nga diskutime dhe debate mes aktorëve kyç të komuniteteve të arbëreshëve të Italisë, studiuesve shqiptarë dhe arbëreshë.
QSPA thotë se, në studimet e dekadave të fundit, koncepti mbi diasporën është larguar nga zanafilla e semantikës së saj, duke përfshirë një term sa kompleks, aq edhe dinamik, duke sfiduar edhe interpretimet tradicionale mbi konceptet bashkëudhëtare të diasporës, siç janë identiteti, përkatësia, kultura dhe trashëgimia.
Sipas QSPA, përpjekjet e komuniteteve arbëreshe për të mbajtur gjallë lidhjet me Shqipërinë dhe anasjelltas, kanë qenë jo thjesht të parreshtura, por këmbëngulëse, aspekt i cili ka ndikuar në mënyrën se si diaspora historike dhe vendi amë e kanë perceptuar njëra-tjetrën: arbëreshët përmes lenteve nostalgjike, duke kanë ndërtuar narrativa ndaj atdheut të humbur, ndërsa Shqipëria/vendi amë duke ndërtuar/legjitimuar narrativa kombëtare dhe ripërtërirë lidhjet me të shkuarën. /atsh