Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme plenare, ku deputetët pritet të shqyrtojnë rritjen e çmimeve të naftës dhe ndikimin e saj në koston e jetesës dhe ekonominë e vendit.
Seanca nis në orën 11:00, ndërsa pikë e vetme e rendit të ditës është shqyrtimi i Propozim-Rezolutës lidhur me rritjen e çmimeve të naftës, mungesën e ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimin e drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve dhe stabilitetin ekonomik.
Mbajtja e kësaj seance vjen pas kërkesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, të bërë publike nga kryetarja e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Jehona Lushaku Sadriu.
Në kërkesë theksohet se rritja e vazhdueshme e çmimeve të naftës nuk përbën vetëm një zhvillim tregu, por konsiderohet si bazë e një krize ekonomike dhe sociale, me pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset në vend. Sipas dokumentit, shtrenjtimi i derivateve reflektohet drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, duke marrë parasysh varësinë e ekonomisë së Kosovës nga importi.
Po ashtu, vlerësohet se institucionet deri më tani nuk kanë ndërmarrë masa konkrete për të lehtësuar barrën financiare të qytetarëve, ndërsa përmes rezolutës kërkohet reagim dhe hapa konkretë nga Qeveria.
Ndër masat e propozuara përfshihen ulja e përkohshme e TVSH-së ose akcizës për naftën, subvencionimi i sektorëve më të ndjeshëm ekonomikë, si dhe mbështetja për transportin publik.



