Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, ka reaguar pas përmbylljes së procesit të numërimit të votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025.
Beqa ka bërë të ditur se ka marrë 20 mijë e 815 vota, duke e cilësuar këtë si “besim që e bën jashtëzakonisht krenar dhe mirënjohës”. Ai theksoi se ka zhvilluar një “fushatë të ndershme” dhe se angazhimi i mbështetësve ka qenë vendimtar.
“Nuk ishte një betejë e lehtë, por ishte një betejë e drejtë – e udhëhequr nga vizioni i Bedri Hamzës, vlerat e PDK-së dhe dashuria për vendin”, ka shkruar Beqa.
Megjithatë, pavarësisht rritjes së votave krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, Beqa nuk ka arritur të sigurojë ulëse në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës. Ai shtoi se suksesi “nuk matet vetëm me numra”, por me vlerat dhe qëndrueshmërinë, duke theksuar se ky është “vetëm një kapitull i rrugëtimit”.
Në fund, Beqa uroi suksese kandidatëve të PDK-së që do ta përfaqësojnë partinë në Kuvend, duke theksuar se do të vazhdojë të jetë “krah për krah” me mbështetësit e tij.



