Skena e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor u pushtua nga emocioni, magjia dhe fuqia e artit skenik, falë kastit të dytë të produksionit madhështor të operës “La Traviata” të Giuseppe Verdit.
Ky spektakël, i cili shënon një nga bashkëpunimet më të rëndësishme ndërkombëtare të këtij viti mes TKOBAP dhe Teatrit Kombëtar të Zagrebit, u prit me një sukses të jashtëzakonshëm nga publiku, që mbushi sallën plot e përplot.
Në qendër të vëmendjes, sopranoja me famë ndërkombëtare Zuzana Marková solli një interpretim brilant të rolit të Violetta Valéry, duke ndërthurur fuqinë dramatike me delikatesën vokale dhe duke mbajtur të mbërthyer publikun deri në notën e fundit.
Përballë saj, tenori italian Oreste Cosimo shkëlqeu si Alfredo Germont, duke sjellë emocion dhe finesë në një rol klasik të repertorit verdian.
Baritoni i njohur shqiptar Armando Likaj, në rolin e Giorgio Germont, i dha peshë dhe forcë figurës së atit autoritar, duke realizuar një interpretim të fuqishëm, si në aspektin dramatik ashtu edhe në atë vokal.
Shfaqja u pasurua më tej me prezencën dhe interpretimin e solistëve të tjerë: Dorina Selimaj si Flora Bervoix dhe Suada Gjergji si Annina, të cilat sollën finesë e gjallëri në skenë. Rol i spikatur iu dha edhe personazheve dytësorë, të sjellë me profesionalizëm nga Erlind Zeraliu (Gastone dhe Giuseppe), Ogert Islami (Il barone Douphol), Metin Jupe (Il marchese d’Obigny), Bledar Domi (Il dottor Grenvil) dhe Genc Vozga (Un Commissario).
Nën dirigjimin e mjeshtrit Sebastiano Rolli, Orkestra dhe Kori i TKOBAP treguan një nivel të lartë artistik, duke harmonizuar fuqinë muzikore me intensitetin dramatik të shfaqjes. Në të njëjtën linjë, regjisor, skenograf dhe kostumograf i produksionit, Hugo De Ana, solli në skenën shqiptare një vizion regjisorial modern dhe madhështor, duke kombinuar elementët vizualë, skenografinë dhe kostumet në një spektakël të plotë artistik.
Produksioni i “La Traviata” vijon të dëshmojë se TKOBAP është sot një qendër e rëndësishme e artit operistik në rajon, duke u bërë urë lidhëse mes artistëve shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë, si dhe një skenë ku bashkëjetojnë tradita, bashkëpunime dhe inovacion artistik.
Shfaqjet e ardhshme të “La Traviata”-s do të vazhdojnë më datat 28 dhe 29 shtator, ora 20:00, duke premtuar edhe dy netë të tjera plot emocion për publikun shqiptar. /atsh