Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, do të vizitojë Kosovën të premten, më 6 shtator. Sipas burimeve nga Brukseli për Radio Evropa e Lirë, vizita e Lajçakut ka për qëllim përgatitjen e një takimi mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë.
Kjo vizitë ndryshon nga të mëparshmet, pasi Lajçak nuk pritet të vizitojë Serbinë pas ndalesës në Kosovë. Javën e kaluar, ai u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë forumit për siguri Globsec në Pragë.
Në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka ripërsëritur thirrjet ndaj institucioneve kosovare që të shmangin veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, të cilat mund të nxisin tensione në veriun e Kosovës. BE-ja, së bashku me SHBA-në, Francën, Britaninë dhe Gjermaninë, kanë kritikuar Kosovën për veprimet e saj të fundit, duke përfshirë mbylljen e pesë institucioneve paralele serbe më 30 gusht.
Stano komentoi edhe mbi thirrjet për intervistimin e politikanëve serbë që kanë udhëhequr këto institucione, të cilët janë nën hetim për “falsifikim dokumentesh”. Lista Serbe ka cilësuar këtë veprim si “përndjekje politike” ndaj komunitetit serb.
Sipas autoriteteve të Kosovës, këto institucione paralele kanë shkelur Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Institucionet e mbyllura përfshijnë Qarkun e Mitrovicës dhe katër komuna paralele: Mitrovicë, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, të cilat ishin nën financimin e drejtpërdrejtë të Serbisë.
Edhe pse marrëveshja për shuarjen e këtyre institucioneve u arrit në dialogun e Brukselit në vitin 2013, ajo ende nuk është zbatuar plotësisht.