Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se personi i arrestuar për vrasjen e rëndë të Enver Bajraktarit nga Lipjani ka pranuar autorësinë e krimit.
Në një komunikatë të përbashkët me Policinë e Kosovës, Prokuroria bëri të ditur se gjatë një operacioni në fshatin Baicë të Komunës së Lipjanit është arrestuar i dyshuari me inicialet T.K.. Arrestimi erdhi pas një urdhër-kontrolli të realizuar në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit.
Sipas njoftimit zyrtar, pas ndalimit në polici dhe dhënies së deklaratës, i dyshuari ka pranuar veprimet e tij dhe kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë. Ai është ndaluar me vendim të prokurorit, ndërsa procedurat ligjore ndaj tij po vazhdojnë.
Autoritetet theksojnë se mbeten të përkushtuara në zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.