Storm/Opozitare: Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë reaguar pas deklarimeve të fundit të ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu sa i përket përfundimit të punimeve në autostradën për në Gjilan.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se në Gjilan nuk është vetëm dështim autostrada.
“Ministri i Infrastrukturës e pranoi mbrëmë se premtimi për autostradën e Gjilanit nga Kurti ishte gabim. Por, duhet, po ashtu, ta pranojë se gabim është mospranimi i dështimit në Stadiumin e Qytetit, deshtimi i ndërtimit dhe vonesa e rrugëve regjionale e impiantit për trajtim të ujërave të zeza. Duhet ta pranojë se krejt ‘projektet e Lutës’, siç po u referohet ekzekutivi i Gjilanit, u urdhëruan që të ndalen që tri vite, ndërsa tash, me fillimin e tetorit, pranohen gabimet e vonesat, por edhe fillimi i tri projekteve që i lamë të gatshme. Shantazhi dhe kërcënimi i z.Hyseni ndaj Kuvendit Konunal është mospranim i gabimeve dhe vonesave të tij në dështimet në Gjilan. Anamoravën kjo Qeveri po e deshton me qëllim!”, shkroi Haziri.
Zhgënjyes dhe dëshpërues e ka cilësuar kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ritmin e punimeve në autostradën Prishtinë – Gjilan.
Gjatë vizitës bërë në këtë projekt, Haradinaj ka thënë se në vetëm 19 muajt e parë të projektit, kanë qenë të përfunduara 47% e punimeve.

Me dinamikën e asaj kohe dhe në bazë të planifikimeve tona, ky projekt do duhej të përfundonte në 2021.
“Pazotësia e qeverisë aktuale, këtë projekt e ka sjellur në gjendje të mjerueshme. Punimet po ecin me ritëm të ngadaltë, duke lënë Gjilanin dhe Anamoravën të izoluar. Kjo përbuzje nga pushteti qendror është e pafalshme. Qeveria aktuale jo vetëm që ka ndërprerë shumë projekte të filluara nga ne, por edhe ato që po vazhdojnë po kryhen me cilësi të dobët. Më 9 shkurt, kemi mundësinë të zgjedhim një qeverisje të re që do t’i japë Kosovës zhvillimin që meriton. Me AAK-në në pushtet, Gjilani do të rikthehet në qendër të investimeve dhe projekteve kapitale”, shkroi Haradinaj.