Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka konfirmuar se e mbështet në parim rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila synon të trajtojë çështjen e ekspozitës së debatueshme të Shkëlzen Gashit.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, deklaroi se mbrojtja e historisë dhe sakrificës së popullit të Kosovës është një përgjegjësi kolektive e përfaqësuesve të popullit.
“Lidhja Demokratike e Kosovës e ka shqyrtuar tekstin e rezolutës dhe në parim pajtohemi me të, sepse është obligim i yni që ta mbrojmë sakrificën e popullit tonë për liri. Gjithsesi, jemi të gatshëm të kontribuojmë në një komision të përbashkët, nëse ka një iniciativë për ta modifikuar dhe plotësuar tekstin e kësaj rezolute”, deklaroi Lushaku-Sadriu.
Reagimet ndaj ekspozitës Ekspozita e autorit Shkëlzen Gashi, e hapur në sheshin e Prishtinës, ka nxitur reagime të ashpra në opinionin publik. Shkak për këtë janë bërë të dhënat e pasakta dhe interpretimet e gabuara rreth Masakrës së Dubravës dhe masakrave të tjera të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Këto lëshime u cilësuan nga familjarët e viktimave, shoqëria civile dhe subjektet politike si një ofendim i rëndë ndaj kujtesës historike dhe dinjitetit të të rënëve për liri. Përmes kësaj rezolute, opozita po kërkon një qëndrim të prerë institucional për të parandaluar shtrembërimin e fakteve historike të luftës së fundit.



