Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, gjatë seancës së jashtëzakonshme për çmimin e naftës, ka deklaruar se shtrenjtimi i vazhdueshëm i këtij produkti po shndërrohet në një krizë të thellë ekonomike dhe sociale për familjet kosovare.
Sipas raportimit të Klankosova.tv, Lushaku-Sadriu theksoi se rritja e çmimit të naftës po ndodh në një kohë kur vendi tashmë përballet me një shkallë të lartë të inflacionit prej 6%. Ajo paralajmëroi se ky shtrenjtim do të reflektohet automatikisht në rritjen e çmimeve të të gjitha produkteve bazë.
Deputetja e LDK-së kritikoi institucionet për pasivitet, duke thënë se deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë masë për mbrojtjen e qytetarëve. Në këtë drejtim, ajo prezantoi rezolutën e propozuar nga LDK-ja dhe e mbështetur nga opozita, e cila përmban tri pika kyçe:
Pikat e Rezolutës së propozuar:
-
Ulja e përkohshme e akcizës: Kërkohet që Qeveria të aplikojë menjëherë ulje të akcizës nga 36 centë për litër në 20 centë, deri në stabilizimin e çmimeve në bursat ndërkombëtare.
-
Ulja e përkohshme e TVSH-së: Duke qenë se TVSH-ja prej 18% llogaritet mbi vlerën e produktit (ad valorem), kërkohet që ajo të ulet në 8% për naftën, me qëllim që qytetarët të mos paguajnë taksë më të lartë me rritjen e çmimit.
-
Subvencionimi i sektorëve të ndjeshëm: Qeveria duhet të gjejë urgjentisht forma për të subvencionuar çmimin e naftës për bujqit, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.
„Kjo rezolutë hyn në fuqi menjëherë pas miratimit në Kuvend“, deklaroi Lushaku-Sadriu, duke kërkuar mbështetjen e deputetëve për këto masa emergjente.



