Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit njoftoi sot se shkrimtarja shqiptare Ledia Xhoga është përzgjedhur si kandidate për çmimin prestigjioz të letërsisë, Booker Prize 2025.
Xhoga, me romanin e saj “Misinterpretation”, renditet në listën e gjatë të pretendentëve për këtë çmim prestigjioz.
Ledia Xhoga është shkrimtarja e dytë shqiptare që kandidon për Booker Prize pas Ismail Kadaresë që e ka fituar çmimin, “The International Booker Prize”, në vitin e themelimit të kësaj kategorie, në 2005. Kadare ishte njëri prej kandidatëve edhe dy herë të tjera, në 2017-n dhe në 2024-n.
Fituesi i këtij viti për Booker Prize do të shpallet më datë 10 nëntor 2025.
Booker Prize është çmimi kryesor letrar në botën anglishtfolëse, dhe ka sjellë njohje, shpërblim dhe lexues për letërsinë artistike për më shumë se pesë dekada. Ai u dha për herë të parë në vitin 1969.
Ky çmim ka për qëllim të nxisë leximin e letërsisë artistike cilësore nga mbarë bota dhe, sipas të dhënave, ka pasur tashmë një ndikim të dukshëm në rritjen e vëmendjes ndaj saj.
Vlerësimi për punën thelbësore të përkthyesve reflektohet në shpërblimin prej 50,000 paundësh, i cili ndahet në mënyrë të barabartë mes autorit dhe përkthyesit.
Ndërkohë, çdo autor dhe përkthyes që përfshihet në listën e ngushtë përfiton gjithashtu nga një shumë prej 2,500 paundësh.