Storm/Ekonomi: Një prej rrjeteve më të mëdha të supermarketeve në Europë, LIDL, ka nisur përgatitjet për hyrje në tregjet e Ballkanit, përfshirë Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Megjithatë, Kosova, që kishte parashikuar hapjen e dyqaneve të para këtë vit, duket se ka mbetur jashtë këtij zgjerimi të rëndësishëm, duke ngjallur pyetje serioze për arsyet pas këtij vendimi të papritur.
A po pengohen investimet strategjike në Kosovë?
Përderisa në Bosnjë dhe Maqedoninë e Veriut kanë filluar ndërtimet e qendrave logjistike dhe përzgjedhja e lokacioneve, në Kosovë, LIDL veçse ka filluar rekrutimin e stafit, por operacionet duken të bllokuara. Kjo ngrit dyshime të mëdha përse Kosova nuk po arrin të tërheqë një investitor të kalibrit të tillë, duke krijuar një vakum që lë vend për spekulime:
- A është dështimi i Qeverisë së Kosovës në trajtimin e LIDL-it si investitor strategjik një nga arsyet kryesore? LIDL përfaqëson një investim madhor, që do të ndikonte direkt në mirëqenien e konsumatorëve dhe ekonominë e brendshme. Përse nuk është shqyrtuar ndonjë ligj apo politikë që të lehtësojë këtë investim?
- A janë krijuar pengesa të qëllimshme nga Ministritë përkatëse? Çështjet ligjore dhe burokracia e stërzgjatur janë shpesh herë përmendur si shkak i dështimit të investimeve në Kosovë. A i është kërkuar LIDL-it ndonjë favor apo ryshfet për të përshpejtuar proceset?
- A ka pasur lobim nga rrjetet ekzistuese të supermarketeve për të penguar hyrjen e LIDL-it? Disa nga supermarketet më të mëdha në Kosovë mund të kenë frikë nga konkurrenca e fuqishme që LIDL do të sjellë me çmimet e tij më të ulëta. A kanë ushtruar këto rrjete presion për të ndaluar hyrjen e këtij gjiganti?
Çmimet në Kosovë krahasuar me LIDL-in: Një diferencë dramatike
Hyrja e LIDL-it në Kosovë do të kishte sjellë ulje të ndjeshme të çmimeve të produkteve esenciale, me një diferencë që mund të arrinte deri në 25-27% më lirë krahasuar me supermarketet aktuale. Kjo është një përqindje e madhe që do të ndikonte drejtpërdrejt në fuqinë blerëse të qytetarëve kosovarë, veçanërisht në një periudhë kur çmimet e produkteve bazë janë në rritje të vazhdueshme.
Në vend të përfundimit
Hyrja e LIDL-it në tregjet e Ballkanit shihet si një hap i madh drejt konkurrencës dhe përmirësimit të ofertës për konsumatorët. Ndërsa Bosnja, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut po avancojnë me planet e tyre, Kosova mbetet e deshtuar edhe në këtë proces. Institucionet dhe qeveria duhet të ofrojnë përgjigje të qarta, edhe kur kemi parasysh se nuk ka shumë ditë kur Kryeministri Kurti dhe Ministri i tij i financave dolën për tu lavdëruar për investimet e huaja në Kosovë. Por kur jemi këtu: Pse LIDL “iku” dhe iu shmang Kosovës? A është një mundësi e humbur për konsumatorët dhe prodhuesit lokalë?
(Në pritje të sqarimeve nga institucionet përkatëse dhe veprimeve konkrete për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve.) Storm-rks në emër të lexuesve të saj!