Qeveria Kurti, përmes Ligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë, po përballet me kritika të ashpra, ku shumë njohës të procesit dhe politikanë(kryesisht të opozitës) e shohin më shumë si një përpjekje për nënshtrimin e kundërshtarëve politikë dhe biznesmenëve sesa një luftë të mirëfilltë kundër korrupsionit. Debati për këtë ligj është bërë temë qendrore në Kosovë që disa kohë, duke e ndarë opinionin publik në dy fronte të qarta: ata që e mbështesin si një mjet për “pastrimin” dhe ose konfiskimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme, dhe ata që dyshojnë në qëllimet e vërteta të Qeverisë.
Një pjesë e opozitës beson se insistimi i Qeverisë për të zbatuar sa më shpejt këtë ligj ka të bëjë më shumë edhe me fushatën zgjedhore që po afrohet, duke përfshirë edhe ndonjë hakmarrje të mundshme nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe Kryeministri Albin Kurti kundër “elitave politike të 20 vjetëve të kaluara”. Këta të fundit shpesh janë kritikuar nga Kurti si “kequdhëheqësit e 20 viteve të kaluara”.
Përplasja mes Qeverisë dhe Gjykatës Kushtetuese është gjithashtu e freskët, pasi Gjykata i ka shpallur “nul” disa nene të ligjit, duke shtuar dyshimet për qëllimin dhe formën e tij. Një nga çështjet më të debatueshme është fakti se ligji nuk kufizohet vetëm në zyrtarët shtetërorë, por përfshin edhe persona të tretë, përfshirë familjarët, kolegët dhe miqtë e të hetuarve, poashtu edhe koha e hetimit (duke përfshirë edhe atë “retro”). Sipas kritikëve, ky ligj ka potencialin të krijojë një atmosferë të frikës dhe pasigurisë, ku çdo qytetar mund të jetë nën hetim respektivisht nën konfisikim të pasurisë.
A është ky ligj një mjet për të mbjellë “drejtësi dhe barazi”, apo një përpjekje për hakmarrje politike?
Vetëm koha do të tregojë se çfarë qëllimesh të vërteta fshihen pas kësaj përpjekjeje të Qeverisë për të “pastruar Kosovën nga korrupsioni”.
by: Storm-rks