Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se Vetëvendosja nuk ka shumicën parlamentare dhe se përpjekjet e partisë së tij për të kontribuar në krijimin e institucioneve janë injoruar.
Ai kritikoi lojërat politike dhe mungesën e përgjegjësisë nga forcat kryesore politike, duke përfshirë edhe ndryshimet e papritura të Kurtit dhe të partive të tjera në ditët e para të procesit.
“Jemi takuar të dielën në ditën para votimit të Qeverisë, më ftoi për të dhënë një informacion që më pas u bë publik, se Dimal Basha largohet nga pozita e kryetarit. Biseda zgjati pak minuta dhe nuk më bindën. Vullneti ynë dhe dëshira jonë ka qenë gjithmonë e prirur për marrëveshje, por nuk u respektua; është një tërheqje e njëanshme nga marrëveshja. Kam parë tallje nga forcat e ndryshme politike. Është fatkeqësi që gjithë potenciali që qytetari ka dhënë nuk po përdoret. Ne kemi pasur 3 vota dhe kemi mundur dhe përpjekur që t’i forojmë vendit dhe t’i ofrojmë kontributin tonë për institucionet, pavarësisht se muajt e fundit kemi qenë të kryqëzuar”, tha Limaj.
Limaj theksoi se në ditën e parë VV kishte 61 vota të mundshme, por pasdite gjërat ndryshuan dhe nuk u arrit të krijohej shumica e nevojshme për qeverinë.
“Në ditën e parë, i kanë pasur votat – 61 vota. Ato vota ishin aty gjatë asaj dite, por pasdite dolën mesazhe dhe gjërat u ftohën. Nuk kam parë një shumicë parlamentare që mund të krijonte qeverinë”, tha Limaj.
Limaj, tha se për partinë e tij çështja e një mandatarit të ri është e mbyllur.
“Për Nismën, kjo temë është e mbyllur, moti. Për mua do të ishte mirë të bëhej diçka me forcat e mëdha politike, por duket se nuk ka pjekuri për të arritur një rezultat. Kam përshtypjen se ajo që ndodhi sot është një moskryerje e punës, për të zvarritur zgjedhjet. Për mua është legjitime çfarë kanë bërë forcat politike. Une pres, dhe dëshiroj të pres, që Presidentja të mos futet dhe të mos bëhet pjesë e kësaj loje, e asnjë forcë politike. Osmani duhet të respektojë plotësisht autorizimet e veta kushtetuese. Nëse Presidentja nuk ka asnjë fakt që të demonstrojë se ka ndryshuar gjendja prej të dielës, nuk duhej të jepte mandatarin e dytë, sepse po e shkel Kushtetutën. Presidentja e ka të qartë se asgjë nuk ka ndryshuar nga mandati i parë; nuk ka parë asnjë forcë politike që të ketë ndryshuar mendimin, asnjë deputet”, tha Limaj.



