Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja publikoi në profilin e tij pamje piktoreske nga fshati Lin i Pogradecit, një destinacion turistik që vizitohet nga turistë gjatë gjithë vitit.
Gonxhja e cilësoi Linin si një thesar të rrallë të trashëgimisë sonë kulturore që tashmë është shpallur me vendim të Këshillit të Ministrave pasuri kulturore e paluajtshme si “Ansambël Arkitektonik Urban”.
“Një vendim i cili synon jo vetëm mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave unike historike e arkitektonike të Linit, por edhe restaurimin dhe administrimin e tij, duke përcaktuar qartë zonën mbrojtëse, rregullat dhe përgjegjësitë institucionale për të siguruar që ky destinacion i veçantë të ruhet dhe të trashëgohet ndër breza”, shkroi ministri Gonxhja.
Fshati Lin ndodhet në brigjet piktoreske të liqenit të Ohrit, rreth 20 kilometra larg qytetit të Pogradecit. Ky fshat i vogël është një nga destinacionet më të veçanta që ndërthur bukurinë natyrore me pasurinë historike.
Një nga thesaret më të çmuara të Linit janë rrënojat e bazilikës paleokristiane, të zbuluara në majën e kodrës që ngrihet mbi fshat. /atsh



