Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas lirimit të një objekti publik në Mitrovicën e Veriut, që deri më tani ishte i uzurpuar nga strukturat paralele serbe.
Ai tha se ky është një hap tjetër drejt vendosjes së rendit dhe ligjshmërisë në çdo pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.
“Në vazhdën e mbylljes së secilit paralelizëm institucional, sot u kthye në pronësi të komunës së Mitrovicës së Veriut objekti i cili deri tash ishte shfrytëzuar nga strukturat paralele, përkatësisht nga e ashtuquajtura Zyrë për Sport, Rini dhe Shërbime të Specializuara,” deklaroi Sveçla.

Ai njoftoi gjithashtu se një aksion i ngjashëm është zhvilluar edhe te stacioni i pompave të ujit në fshatin Suhodoll.
“Epoka e tolerimit të zhvillimit të paralelizmave përballë institucioneve tona ka perënduar dhe nuk kthehet më. Në çdo cep të Republikës sonë ka rend e ligj dhe institucione që janë në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë,” shtoi tutje ai.

Postimi i plotë:
Hapësirat publike të uzurpuara prej dekadash nga strukturat paralele të Serbisë po kthehen në shfrytëzim të komunave dhe institucioneve tona, të Republikës së Kosovës.
Në vazhdën e mbylljes së secilit paralelizëm institucional sot u kthye në pronësi të komunës së Mitrovicës së Veriut objekti i cili deri tash ishte shfrytëzuar nga strukturat paralele, përkatësisht nga e ashtuquajtura Zyrë për Sport, Rini dhe Shërbime të Specializuara. Po ashtu, në një aksion ngjashëm është zhvilluar te stacioni i pompave të ujit në fshatin Suhodoll të Mitrovicës së Veriut.
Epoka e tolerimit të zhvillimit të paralelizmave përballë institucioneve tona ka perënduar dhe nuk kthehet më.
Në çdo cep të Republikës sonë ka rend e ligj dhe institucione që janë në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë.



