Gazetarja italiane Cecilia Sala u lirua nga Irani të mërkurën dhe u kthye në shtëpi, tri javë pasi u arrestua në Teheran gjatë një udhëtimi atje.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani ishin të pranishëm për ta mirëpritur 29-vjeçaren në Romë, duke theksuar rëndësinë politike të rastit të saj.
Sala, një shkrimtare dhe podkastere, kishte qenë duke punuar me një vizë të rregullt gazetarie kur u arrestua më 19 dhjetor në Teheran, e akuzuar për “shkelje të ligjeve të Republikës Islamike”.
Ajo u ndalua tri ditë pas arrestimit në Milano të biznesmenit iranian Mohammad Abedini, sipas një urdhër-arresti të SHBA-së, i akuzuar për furnizimin e pjesëve për dronë që Uashingtoni pretendon se u përdorën në një sulm në vitin 2024, ku u vranë tre ushtarë amerikanë në Jordani.
Irani ka mohuar përfshirjen në sulmin e vitit të kaluar dhe ka hedhur poshtë akuzat se burgosi Sala për të ushtruar presion ndaj Italisë që të lirojë Abedinin.
Qeveria italiane tha në një deklaratë se Sala, e cila kishte qenë e mbajtur në izolim në burgun famëkeq Evin të Teheranit, u lirua “falë punës intensive në kanale diplomatike dhe të inteligjencës”.

Abedini mbeti në një burg në Milano të mërkurën, ndërsa një gjykatë pritet të vendosë javën e ardhshme mbi kërkesën e tij për t’u liruar me arrest shtëpie, përpara procedurave të mundshme për ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara.
“Për momentin, pozicioni i Abedinit mbetet i pandryshuar”, tha prokurorja e Milanos, Francesca Nanni, për gazetarët.
Sala u lirua vetëm tri ditë pasi Meloni bëri një vizitë të papritur në Florida për të takuar presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump. Nuk u publikuan detaje të bisedimeve, por zëvendëskryeministri Matteo Salvini tha se ata kishin diskutuar për Salën.
Faqja italiane e lajmeve Il Post, ku punon partneri i Salës, raportoi se Trump i kishte dhënë “një lloj dritë jeshile” Italisë për të negociuar me Iranin dhe kishte premtuar të mos politizonte çështjen me administratën në largim të Presidentit Joe Biden.

Një burim i lartë politik nuk pranoi të jepte detaje, por tha se takimi në Florida kishte qenë i rëndësishëm dhe kishte luajtur një rol në lirimin e Salës.
Sala, e cila punon për gazetën Il Foglio dhe kompaninë e podkasteve Chora Media, kishte qenë në Teheran për të raportuar mbi ndryshimet e fundit në shoqërinë iraniane. Babai i saj, Renato Sala, tha se ishte i mbushur me emocione kur dëgjoi se ajo po kthehej në shtëpi.




