Gjykata e Posaçme në Shqipëri ka vendosur të mërkurën ta lirojë ish-kryeministrin Sali Berisha nga masa e sigurisë “arrest shtëpie”.
Kjo masë ndaj Berishës ishte vendosur gati një vit më parë – më 30 dhjetor të vitit të kaluar – pasi ish-kryeministri kishte refuzuar detyrimin për t’u paraqitur në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Ai ishte ftuar të paraqitet para SPAK-ut për t’u marrë në pyetje në lidhje me hetimet ndaj tij për korrupsion në procesin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Avokati i tij, Genc Gjokutaj, tha për mediat se, mbi bazën e kërkesës së tij, gjykata vendosi ta lirojë Berishën nga masa e arrestit shtëpiak.
“Gjykata konstatoi se nuk ekzistojnë më kushtet e as kriteret për asnjë lloj mase sigurimi ndaj Berishës. Prokuroria kërkoi që ai të mbetej në arrest shtëpiak, por sot nuk ka asnjë masë tjetër sigurimi ndaj tij”, tha Gjokutaj.
Avokati i Berishës shtoi se vendimi për ta liruar Berishën nga “arresti shtëpiak” është i zbatueshëm menjëherë. Pritet reagimi i Prokurorisë nëse do të apelojë këtë vendim.
Ish-kryeministri Berisha ndodhet nën hetim prej tetorit të vitit të kaluar për akuzën e korrupsionit pasiv.
Por me kwtw vendim nuk wshtw pajtuar prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
SPAK ka njoftuar se pasi të njihet me vendimin e zbardhur të GJKKO, do të vijojë procedurën e ankimimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit.
Prokuroria shtoi se ndërkohë seanca paraprake për gjykimin në themel të çështjes vazhdon në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
“Pasi Prokuroria e Posaçme të njihet me vendimin e zbardhur të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të vijojë procedurën e ankimimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Ndërkohë seanca paraprake për gjykimin në themel të çështjes vazhdon në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në reagimin e SPAK.
Pak pasi GJKKO i hoqi masën e sigurisë “arrest shtëpie”, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka shkuar në selinë blu ku është pritur nga qindra mbështetës të tij.
Në fjalën e tij për mediet, Berisha deklaroi se piramida më e madhe e mashtrimit në historinë e drejtësisë europiane, mori goditjen më fatale.
Ai u shpreh se nga sot e çdo ditë, veprimi do jetë kryefjalë e tij dhe e opozitës.
Berisha e konsideroi vendimin e GJKKO-së, si ditë fitore jo vetëm për të dhe opozitarët, por për gjithë shqiptarët, pasi sikurse shprehet ai, “ka fituar e vërteta, ligji dhe Kushtetuta, Shqipëria.”
“U krye dhe kjo punë! Piramida më e madhe e mashtrimit në historinë e drejtësisë europiane pas Luftës së dytë botërore mori goditjen fatale.
Sot Shqipëria u ndriçua nga rrezet e para të rikthimit të pandalshëm të demokracisë. Sot është dita kur mostrat e demokracisë Rama dhe Soros dështuan përfundimisht, në tentativën e tyre për të shkatërruar opozitën me grushtin e shtetit që i bën asaj.
Sot ne së bashku sakrifica e 330 ditëve mundi i 3 viteve triumfoi dhe u shpërblye.
Sot është ditë e mirë për shqiptarët, për opozitarët, një ditë shprese.
Por sot, është ditë e mirë dhe për ata që s’janë opozitarë dhe për kundërshtarët e opozitës sepse sot ka fituar e vërteta, ligji dhe Kushtetuta, Shqipëria. Këtë vit unë kam thyer rekordin tim për numrin e fjalimeve 330 të tilla. Tani e tutje veprimi do jetë kryefjala e Sali Berishës. Ka ende disa mesazhe të rëndësishme që dua t’ua them shqiptarëve. Kauza e drejtë nuk humbet kurrë”, deklaroi Berisha.
Ky i fundit paralajmëroi kryeministrin Edi Rama se do japë llogari për grushtin e shtetit që i bëri opozitës dhe për 11 muajt që lideri opozitës vuajti masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Berisha bëri thirrje për krijimin e qeverisë teknike, ndërsa garantoi se mosbindja civile do të vijojë aksionin e saj.