Hulumtimet e reja sugjerojnë se disa sete të lugëve që janë të prodhuara nga plastika e zeza dhe që përdoren edhe në vendin tonë në kuzhinë, mund të jenë të rrezikshme për shëndetin.
Zbulimet që janë publikuar këtë javë në revistën Chemosphere, tregojnë se një sërë produktesh shtëpiake të bëra me plastikë të zezë të ricikluar – duke përfshirë elemente për shërbimin e ushqimit, enët e kuzhinës dhe lodrat, përmbajnë nivele të larta të kimikateve të lidhura me kancerin.
Testimi nga shkencëtarët në Shtetet e Bashkuara dhe në Holandë, zbuloi se sasitë më të mëdha të këtyre kimikateve toksike gjenden në tabaka për sushi, shpatulla dhe gjerdan me rruaza që fëmijët mund t’i vendosin ndërsa janë duke luajtur.
Studiuesit besojnë se kimikatet që shërbejnë për frenimin e flakës të lëshuara nga komponentë të caktuar elektronikë si televizori dhe mbështjellësi i kompjuterit gjatë procesit të riciklimit, mund të jenë burimi i këtyre ndotësve.
“Këto kimikate që shkaktojnë kancer nuk janë të dukshme në fillim, por me riciklimin, ato po përfundojnë në produkte shtëpiake ku nuk i shohim”, thotë bashkautorja e studimit, Megan Liu, menaxhere e shkencës dhe politikave në Toxic-Free Future, një organizatë që mbron shëndetin mjedisor dhe kërkimin.
Prodhuesit shtojnë flakë të brominuar (BFR) dhe frenues të flakëve organo fosfate (OPFR) në produktet elektrike dhe elektronike, veçanërisht plastikës me ngjyrë të zezë, me qëllimin për të mbajtur konsumatorët të sigurt nga zjarret.
Hulumtimet e mëparshme, megjithatë, kanë treguar se ekspozimi i lartë ndaj kimikateve të tilla mund të rrisë rrezikun e kancerit dhe të ndërhyjë me hormonet e prodhuara nga sistemi endokrin.
Një studim i botuar në JAMA Network Open në prill 2024 tregoi se personat që kishin nivele më të larta të kimikateve rezistente ndaj flakës në gjakun e tyre, kishin rreth 300 për qind rrezik më të madh për të vdekur nga kanceri krahasuar me personat që kishin nivelet më të ulëta.
Për shkak se plastika e zezë nga elektronika shpesh riciklohet dhe inkorporohet në sende shtëpiake që janë rezistente ndaj flakës, shkencëtarët dhe bashkëpunëtorët në Vrije Universiteit Amsterdam aluduan se shumë njerëz janë të ekspozuar ndaj niveleve të larta të toksinave dhe mund të mos e kuptojnë këtë.
Bashkëautorja e studimit Liu dhe kolegët e saj, ekzaminuan më shumë se 200 produkte shtëpiake plastike të zeza që potencialisht do t’u jepnin konsumatorëve kontakt të ngushtë me këto kimikate, duke përfshirë enët e kuzhinës, lodrat dhe aksesorët e flokëve.
“Ne ishim veçanërisht të shqetësuar për ekspozimet nga ushqimi dhe gëlltitja, por edhe tek lodrat, sepse fëmijët mund të luajnë me to për periudha të gjata kohore dhe frenuesit e flakës mund të dalin prej tyre dhe të futen në pështymën e fëmijëve”, thotë Liu.