Më 19 shkurt 1879 lindi në Shkodër, Luigj Gurakuqi, një nga personalitetet qendrore të historisë shqiptare, firmëtar i pavarësisë, intelektual dhe burrë shteti.
Studioi për mjekësi e biologji në Universitetin e Napolit (1901-1906), e më pas me historiografi dhe gjuhësi. Përmes veprave si “Vargënimi n’gjuhë shqype” dhe “Abetar i vogël shqyp” (1906), Gurakuqi nisi kodifikimin e metrikës (rregullat e ndërtimit të vargjeve dhe strofave) dhe ndihmoi në përhapjen e mësimit të shqipes.
Roli i tij si nënkryetar në Kongresi i Manastirit (1908) ishte përcaktues për njësimin e alfabetit, ndërsa në vitet 1911-1912 u përfshi në kryengritjet për pavarësi.
Luigj Gurakuqi drejtoi Shkollën Normale të Elbasanit (1909) dhe, si Ministër i Arsimit në qeverinë e Ismail Qemali, vendosi arsimin fillor të detyrueshëm për djem e vajza.
Veprimtaria e tij politike vijoi me mbrojtjen e tërësisë territoriale në Konferenca e Paqes në Paris (1919). Gjatë viteve 1921-1924 shërbeu si deputet i Shkodrës dhe Ministër i Financave në qeverinë e Fan Noli, duke u angazhuar për demokratizimin e vendit. Pas rënies së kësaj qeverie emigroi në Itali, ku jeta e tij u ndërpre tragjikisht pas një atentati që iu organizua në Bari më 2 mars 1925. /atsh



