Prishtinë, 26 Mars 2025 – Nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka dhënë deklarata të ashpra në një emision televiziv mbrëmjen e sotme, duke kritikuar qasjen e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ndaj procesit të formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve.
Haziri ka akuzuar Kurtin se është duke zhvilluar politikë numrash dhe po synon të sigurojë shumicën në Kuvend përmes asaj që ai e quajti “prostitucion politik”. Ai tha se Kurti është përqendruar në piketimin individual të deputetëve për të marrë mbështetjen e nevojshme, në vend se të ndërmarrë hapa seriozë dhe institucionalë për formimin e qeverisë së re.
“Albin Kurti ka bërë politikë numrash edhe në fushatë dhe tani për të bërë shumicën mundet vetëm nëse lëshohet në prostitucion politik”, deklaroi Haziri, duke shtuar se deri më tani nuk ka asnjë lëvizje serioze nga ana e Vetëvendosjes që tregon vullnet për të konstituar institucionet.
Deklarata vjen në një moment kritik, kur vendi ndodhet në një fazë pas-zgjedhore pa institucione të formuara dhe me presion në rritje për zgjidhje të ngërçit politik.



