Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zyrtarizuar Hamdi Bytyqin si kandidat për kryetar të Komunës së Therandës në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor.
Njoftimi është bërë gjatë një tubimi të mbajtur sot në këtë komunë, në prani të kryetarit të LVV, Albin Kurti dhe zyrtarëve tjerë.
“Theranda është gati për të vetëvendosur edhe në nivelin lokal! Hamdi Bytyqi është alternativa më e mirë për qytetarët”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Njoftimi i plotë:
Theranda është gati për të vetëvendosur edhe në nivelin lokal! Hamdi Bytyqi është kandidati ynë për kryetar të komunës së Therandës dhe alternativa më e mirë për qytetarët.
Sot, në prani të kryesisë së Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Therandë dhe strukturave drejtuese, me pjesëmarrje të Kryeministrit Kurti, Sekretarit Organizativ Rama, koordinatores së Sekretariateve në VETËVENDOSJE!, Albana Gashi, koordinatorit të qendrave, deputetit Zyba, Kryetarit të Qendrës në Therandë, Jetmir Durmishi, Sekretarit për media të LV-së, Arlind Manxhuka konfirmuam mbështetjen për nominimin e Hamdi Bytyqit si kandidat për kryetar të Komunës së Therandës.
Frymën e investimeve të Qeverisë qendrore do ta vazhdojmë edhe në nivelin lokal. Garancë për këtë është alternativa qeverisëse lokale e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që ka në qendër qytetarin dhe komunitetin.
Bashkëpunimi qeveri qëndrore dhe ajo lokale është binomi i nevojshëm për të shtyrë përpara projektet aq shumë të nevojshme për të mirën e qytetarëve në Therandë e kudo në Kosovë.
Le të angazhohemi çdo ditë, gjithandej lagjeve e fshatrave të Therandës për fitoren e madhe.
Urime të gjithë qytetarëve të Therandës dhe aktivistëve të Lëvizjes!
Na priftë e mbara!



