E PLOTËSUAR / Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se kërcënimet e ish-shefit të Shërbimit Sekret Serb (BIA), Aleksandër Vulin, nuk e frikësojnë Kosovën.
Ai tha se politika e Serbisë, si politikë e gjenocidit, është pjesë përbërëse e politikës së saj.
“Kemi ndërtuar kapacitetet tona dhe kemi forcuar mbrojtjen e Kosovës, duke synuar të mbrojmë territorin e vendit dhe jetët e qytetarëve. Në asnjë rast nuk përfshihemi në veprime sulmuese, por fokusohemi në modernizimin dhe fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse”, tha ai.
Maqedonci: Shpresojmë që deri në fund të vitit të prodhojmë municione
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha Industria e Mbrojtjes se është nevojë e domosdoshmëri, dhe ne tashmë kemi bërë hapa në këtë drejtim.|
“Kemi nënshkruar një kontratë për fabrikën e municionit vitin e kaluar, si vjet do të kemi fillimi ndërtim në fabrikës, tashmë makineria për prodhim në municioneve është duke u prodhuar në Republikën e Turqisë. Ne shpresojmë bazuar në kontratën që deri në fund të këtij viti të fillojmë prodhimin e municioneve të para në Republikën e Kosovës, kurse po ashtu jemi duke punuar me partnerët tanë amerikan, gjermanë, por edhe vendet të tjera që të fillojmë bashkëprodhim me në Republikën e Kosovës. Në këtë aspekt, ne gjithashtu kemi dhënë në shqyrtim në industrinë e mbrojtjes mund të themi një zonë, një hapësirë në Gjakovë janë 133 hektarë tokë që qeveria i ka dedikuar për industrinë e mbrojtjes që do të vendosim kompleksin që do të funksionalizohet deri në fund të këtij viti”, tha ai për RTK Prime.
Maqedonci: Projektligji për industrinë e mbrojtjes pritet të dërgohet në Qeveri
Maqedonci foli edhe për projektligjin për industrinë e mbrojtjes, për të cilin tha se do të procedohet në ekzekutiv.
“Ne kemi pasur dy grupe që kanë punuar për draftimin e ligjit për industrinë e mbrojtjes: një grup nga Ministria e Industrisë dhe një grup tjetër nga Ministria e Mbrojtjes, që kanë punuar bashkërisht në draftimin e ligjit për industrinë e mbrojtjes. Kemi pasur takim edhe me ministren Kusari dhe jemi dakorduar që ta shtyjmë përpara këtë proces. Pra tashmë draftligji ka kaluar në Ministrinë e Mbrojtjes dhe ne do ta paraqesim në Qeverinë e Kosovës, që pastaj normalisht të kalojë në Parlament për t’u miratuar nga deputetët tanë”, u shpreh ai.
Ai ka sqaruar se ligji ka për qëllim të përcaktojë rolet e institucioneve në aspektin e industrisë së mbrojtjes, duke përfshirë licencimin dhe mbështetjen e zhvillimit të saj.
Maqedonci: FSK-ja është e hapur për të gjitha komunitetet në Kosovë
Duke folur për FSK-në dhe bashkëpunimin me komunitete, Maqedonci tha se të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës janë qytetarë për të cilët FSK-ja ka detyrim të angazhohet dhe t’i mbrojë, si dhe t’i përfshijë brenda vetes.
“Ne jemi të hapur dhe kemi qenë të tillë ndaj të gjitha komuniteteve”, tha Maqedonci. Sa i përket marrëdhënies së FSK-së me KFOR-in, ai tha se vazhdojnë të kenë komunikim të rregullt. “Normalisht, KFOR-i ka kufizimet e veta në aspektin e misionit në raport me njohjen e disa prej institucioneve, duke përfshirë edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrinë e Mbrojtjes me mandatin pas vitit 2018. Pra ka kufizime se sa thellë bashkëpunon me ne, mirëpo ne e respektojmë këtë kufizim të tyre duke pasur parasysh që KFOR-i është një mision i NATO-s që është këtu bazuar në Rezolutën 1244”, u shpreh ai.
Maqedonci: Rezoluta 1244 nuk e ka më relevancën e njëjtë
Maqedonci tha se kjo rezolutë, pas një periudhe të gjatë dhe sidomos pas pavarësisë dhe ndryshimeve të mëdha në të gjitha aspektet në Republikën e Kosovës mund të thuhet se nuk e ka më relevancën e njëjtë.
“Por ndryshimi i saj mund të bëhet vetëm me konsensusin e të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, ku ka vende që përveç se nuk e njohin Republikën e Kosovës, janë edhe kundër pavarësisë dhe mbështesin Serbinë. Mirëpo, ne kemi tentuar gjatë gjithë kësaj kohe që, brenda këtyre kufizimeve që ka KFOR-i në raport me Kosovën e institucionet tona, të gjejmë hapësira ku do të bashkëpunojmë. Përveç tjerash, ne bëjmë edhe ushtrime të përbashkëta me KFOR-in”, tha Maqedonci.
Maqedonci: Sakrifica e Familjes Jashari, pikë kthese për zgjerimin e UÇK-së
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se datat 5, 6 e 7 marsit 1998 kanë qenë pikat e kthesës së madhe të kryengritjes kombëtare për çlirimin e Kosovës.
“Ishte pikërisht sakrifica e Familjes Jashari elementi kyç që ndikoi në zgjerimin dhe rritjen e Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por edhe në zgjerimin e kryengritjes në gjithë territorin e Kosovës në atë periudhë”, tha ai në një intervistë për RTK Prime.
Ai tha se, si rikujtim i këtyre datave, në kuadër të Epopeja e UÇK-së realizohen shumë aktivitete, të cilat tashmë janë bërë tradicionale.
Maqedonci: Standardizohet narrativa për Epopenë e UÇK-së në shkollat e Kosovës
Maqedonci tha se këtë vit është bërë një hap i rëndësishëm në edukimin e brezave të rinj mbi Epopenë e UÇK-së.
“E veçanta këtë vit është se për herë të parë kemi standardizuar narrativën për shpjegimin e Epopesë së UÇK-së nga mësimdhënësit. Pra, ua kemi dërguar në Ministrinë e Arsimit një narrativë që e kemi përgatitur bashkë me historianë në Republikën e Kosovës, me qëllim që në të gjitha shkollat të ndahet informacioni i njëjtë në lidhje me Epopenë dhe rezistencën e armatosur të familjes Jashari”, tha Maqedonci.
Ai tutje tha se do të ketë aktivitete të tjera edhe në ditët në vijim, me ditën e homazheve në Prekaz, për të vazhduar më pas me ekspozitën në Kuvendin e Kosovës dhe akademinë përkujtimore në Pallatin e Rinisë në ora 19:00.
Ndërkaq, më 7 mars do të jetë nata e zjarreve, ku do të fillohet në Prekaz në ora 18:00, për të vazhduar në shtatë zonat e Ushtrisë Çlirimtare në ora 18:15 dhe për të përfunduar aktivitetet në Skenderaj.



