Një pakt historik po merr formë në vitin 2026: Teherani pranon shkatërrimin e impianteve të tij atomike dhe braktisjen e milicive rajonale, në këmbim të lirisë ekonomike dhe mbrojtjes nga kolapsi.
Burime diplomatike kanë zbardhur detajet e një marrëveshjeje epokale që pritet t’i japë fund konfliktit të përgjakshëm mes Iranit dhe koalicionit SHBA-Izrael. Pakti, i ndërtuar mbi 14 shtylla kryesore, parashikon eliminimin e plotë të kapaciteteve bërthamore të Iranit dhe një ripozicionim radikal të Teheranit në arenën ndërkombëtare.
Sipas dokumentit, Irani është zotuar për mbylljen dhe shkatërrimin e plotë të objekteve në Natanz, Isfahan dhe Fordow. I gjithë uraniumi i pasuruar do të transportohet jashtë vendit, ndërsa Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) do të ketë qasje të plotë në çdo informacion. Ky “çarmatim vullnetar” vjen pas operacionit intensiv “Epic Fury” që gjunjëzoi infrastrukturën energjetike të vendit.
Në këmbim të këtij dorëzimi, Shtetet e Bashkuara janë pajtuar për heqjen e menjëhershme të të gjitha sanksioneve ekonomike. Më e rëndësishmja, është anuluar mekanizmi i “snapback” (rikthimi automatik i sanksioneve), duke i ofruar regjimit një garanci për stabilitet afatgjatë. Gjithashtu, marrëveshja mbështet zhvillimin e një programi bërthamor civil në Bushehr, por nën mbikëqyrje strikte ndërkombëtare.
Në aspektin ushtarak, Irani ka pranuar të braktisë strategjinë e forcave “proxy” dhe të ndalojë financimin e milicive në rajon. Ngushtica e Hormuzit do të qëndrojë e hapur në çdo kohë, duke garantuar rrjedhën e lirë të naftës globale. Ndërsa programi i raketave balistike do të kufizohet vetëm për qëllime mbrojtëse, një pikë që shihet si lëshim i madh nga ana e koalicionit perëndimor për të evituar kolapsin total të shtetit iranian.
Kjo marrëveshje po interpretohet si një fitore triumfuese e diplomacisë së forcës së Donald Trump, por kritikët në Izrael po shprehin shqetësim për pikën që lejon raketat balistike “për mbrojtje”. Megjithatë, për botën që po përballet me çmime marramendëse të energjisë, ky pakt është drita në fund të tunelit të një lufte që kërcënoi të shndërrohej në konflikt global.



