Viti 2026 shënon 200-vjetorin e fotografisë, si dhe 10-vjetorin e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.
Këtë përvjetor të dyfishtë, “Marubi” e konsideron jo vetëm si një akt përkujtimor formal, por një moment reflektimi mbi rolin e fotografisë si formë dijeje dhe mbi muzeun si institucion kritik, që ndërmjetëson marrëdhënien midis kujtesës, historisë dhe së tashmes.
Muzeu “Marubi” u themelua si një nevojë kulturore dhe etike: për të ruajtur, studiuar dhe aktivizuar arkivin fotografik të dinastisë Marubi dhe të fotografëve të tjerë të Shkodrës, një korpus imazhesh që artikulon, përmes dritës, transformimet shoqërore, politike dhe kulturore të një vendi.
Në themel të kësaj trashëgimie qëndron Pietro Marubbi, i cili solli fotografinë në Shqipëri jo vetëm si teknikë, por si mënyrë të re të të parit dhe të të kuptuarit të realitetit.
Hapja e muzeut shënoi kalimin nga arkivi i mbyllur drejt institucionit të hapur, nga ruajtja pasive drejt interpretimit kritik. “Marubi” eshte konceptuar nga studioja Casanova + Hernandez dhe eshte vendosur në ndërtesën historike të projektuar nga Kolë Idromeno.
Gjatë dhjetë viteve të para, muzeu ka kontribuar në riformulimin e mënyrës se si fotografia lexohet dhe kuptohet në Shqipëri. Përmes ekspozitave kuratoriale, ndërthurjes me praktikat bashkëkohore artistike, programeve edukative, botimeve dhe kërkimit shkencor, ai ka ndërtuar ura konceptuale mes arkivit dhe aktualitetit, mes historisë dhe kritikës së saj.
Në vitin 2017 muzeu u përzgjodh finalist për European Museum of the Year Award, ndërsa në vitin 2025 arkivi i negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubit u shpall zyrtarisht pjesë e Regjistrit Ndërkombëtar “Memory of the World” nga UNESCO. /atsh



