spot_img
E shtunë, 9 Maj, 2026
12:50
HomeKulturëMë shumë hapësira për të rrëfyer traditën, rihapet i restauruar Muzeu Etnografik...

Më shumë hapësira për të rrëfyer traditën, rihapet i restauruar Muzeu Etnografik i Durrësit

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Muzeu Etnografik i Durrësit, pas shtatë vitesh i mbyllur, ka hapur sërish dyert për vizitorët vendas dhe ata të huaj.

Me dëmtimin që pësoi godina nga tërmeti i vitit 2019, ky muze u transformua jo vetëm në strukturë, por edhe në gamën e objekteve muzeale të ekspozuara dhe hapësirat e shtuara, falë projektit EU4Culture të Bashkimit Evropian.

- Advertisement -

Ekipi i ATSh-së ishte në ambientet e këtij muzeu, për të parë nga afër transformimin e godinës dhe hapësirave të ekspozimit.

Që në hyrje, bie në sy restaurimi i kujdesshëm i ndërtesës, e cila ruan tiparet e një banese tradicionale qytetare të shekullit XIX. Struktura me çardak, elementët prej druri dhe organizimi i brendshëm i hapësirave krijojnë një atmosferë autentike, që të rikthen në stilin e dikurshëm të jetesës së familjeve durrsake.

- Advertisement -

Gjatë vëzhgimit, shihet zgjerim i ndjeshëm të hapësirave muzeale. Nga katër dhoma ekspozimi që ishin të aksesueshme para vitit 2019, sot muzeu numëron shtatë dhoma të sistemuara në katin e dytë, si dhe një sallë të madhe në katin e parë. Kjo rritje e hapësirës ka mundësuar paraqitje më të plotë të objekteve dhe historive që ato mbartin.

Në ambientet e brendshme janë të ekspozuara objekte etnografike, vegla pune, enë të përdorimit të përditshëm dhe kostume popullore, të cilat dëshmojnë mënyrën e jetesës së dikurshme. Çdo dhomë është konceptuar si një rrëfim më vete, ku ndërthuren funksioni praktik dhe vlera simbolike e objekteve.

Një tjetër element që tërheq vëmendjen është koleksioni prej 125 veprash artistike të dhuruara në nder të piktorit Ibrahim Kodra, që i shtojnë muzeut një dimension të ri kulturor. Po ashtu, brenda muzeut ndodhen hapësira të dedikuara për figura të njohura, si ajo e aktorit Aleksandër Moisiu, duke e lidhur historinë lokale me personalitete me ndikim ndërkombëtar.

Një prej punonjësve të Muzeut Etnografik të Durrësit u shpreh për ATSh-në se që ditën e parë kishte interes të shtuar, sidomos nga turistët, të cilët ndaleshin gjatë në çdo ambient, duke vëzhguar me kujdes detajet dhe duke kërkuar informacion mbi historinë e objekteve. Shumë prej tyre shfrytëzonin momentin për të fotografuar, ndërsa të tjerë bashkëbisedonin me stafin për të kuptuar më mirë traditat dhe mënyrën e jetesës së viteve të kaluara.

Muzeu i restauruar pritet të tërheqë edhe më shumë vizitorë, duke u rikthyer në një pikë të rëndësishme në hartën turistike të qytetit.

Rihapja e Muzeut Etnografik të Durrësit nuk është vetëm rikthim i një godine të restauruar, por edhe një ringjallje e kujtesës kulturore, që lidh të shkuarën me të tashmen dhe e bën atë të prekshme për çdo vizitor.

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat