spot_img
E premte, 21 Nëntor, 2025
14:39
HomeKosovaDrejtësiaMillosh Pleskoviq dënohet me 15 vjet burgim për krime lufte

Millosh Pleskoviq dënohet me 15 vjet burgim për krime lufte

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor dhe dënuar me 15 vjet burgim Millosh Pleskoviqin, i akuzuar për krime lufte në Kosovë.

Sipas aktakuzës, Pleskoviqi gjatë vitit 1998-’99 në Prizren, në bashkëkryerje me një grup serbësh të armatosur, kishin vrarë tre civilë shqiptarë dhe plagosur disa të tjerë.

- Advertisement -

Aktgjykimi ndaj Pleskoviqit u shpall të enjten nga kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri.

Sipas gjykatësit Beqiri, dënimi me 15 vjet burgim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

- Advertisement -

Palët e dëmtuara udhëzohen në kontest të rregullt civil.

I akuzuari urdhërohet të paguajë shpenzimet e procedurës penale- për paushallin gjyqësor 200 euro dhe 100 euro të tjera për taksën e kompensimit për viktimat e krimit.

Të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar me këtë aktgjykim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e ngritur më 7 qershor 2024, thuhet se Millosh Pleskoviq gjatë vitit 1998-’99 në Prizren, në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civilë, duke kryer vrasjen e viktimave.

Sipas aktakuzës, Pleskoviqi, duke funksionuar si grup i armatosur me 7-8 persona të nacionalitetit serb, më 1 shtator 1998 në Prizren, derisa ishin duke shkuar për në malin e tyre viktimat R.D., B.D., F.B., së bashku me të dëmtuarit Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati, fillimisht janë ndalë papritmas nga grupi i armatosur serb, të cilët më pas janë fyer me fjalë serbe, e që në mesin e atij grupi të armatosur serb ishte parë edhe i akuzuari Pleskoviq.

Në një moment, sipas aktakuzës thuhet se Pleskoviqi kishte filluar të gjuajë me armë të tipit “Kallashnikov”, ku nga të shtënat në vendin e ngjarjes kishin mbetur të vrarë R.D., B.D. dhe F.B., kurse të dëmtuarit Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kishin shpëtuar.

Tutje, në aktakuzë thuhet se familjarëve të të ndjerëve u ishte lejuar që t’i marrin trupat e tyre pas një jave nga vrasja, ku thuhet se trupat e R., dhe B.D. ishin vendosur mbi njëri-tjetrin, kurse njëri nga ta e kishte këmbën e prerë, ndërkaq viktima F., nuk e kishte kokën në trup.

Andaj, për këto veprime Pleskoviqi ngarkohej për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me Nenin 142, lidhur me Nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si ligj në fuqi në kohë e kryerjes së veprës penale. /BetimipërDrejtësi

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat