Autoritetet shëndetësore të drejtuara nga Hamasi kanë thënë se gati 60 persona janë vrarë në sulmet e reja izraelite në Gaza, ndërsa banorët raportuan bombardime të rënda.
Ushtria izraelite lëshoi të hënën urdhra evakuimi për njerëzit në zona të mëdha të veriut, duke çuar në zhvendosje të mëtejshme.
Sulmet ndodhën në kohën kur zyrtarët izraelitë pritet të mbërrijnë në Uashington në kuadër të përpjekjes së re për një armëpushim të promovuar nga administrata Trump.
Autoritetet shëndetësore thanë se 10 persona u vranë në Zeitoun dhe të paktën 13 u vranë në jugperëndim të qytetit të Gazës.
Mjekët thanë se shumica e atyre 13 personave u goditën nga armë zjarri, por banorët raportuan edhe një sulm ajror.
Ata thanë gjithashtu se 20 persona, përfshirë gra, fëmijë dhe një gazetar vendas, u vranë në një sulm ajror izraelit në një kafene buzë plazhit në qytetin e Gazës.
IDF urdhëroi njerëzit të shkonin në jug, duke thënë se planifikonte të luftonte militantët e Hamasit që vepronin në Gazën veriore, përfshirë zemrën e qytetit të Gazës.
Donald Trump i ka kërkuar Izraelit dhe Hamasit të bien dakord për një armëpushim, pasi numri i palestinezëve të vrarë në Gaza arriti në 56,500, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, e cila nuk bën dallim midis civilëve dhe luftëtarëve në numërimin e saj.
“BËJENI MARRËVESHJEN NË GAZË. KTHENI PENGJET!!!”, shkroi ai në rrjetet sociale të dielën.
Presidenti amerikan kishte rritur pritjet për një marrëveshje të mundshme këtë javë, por disa palestinezë ishin skeptikë ndaj përpjekjeve të fundit për t’i dhënë fund luftës 20-mujore që ka shkatërruar pjesën më të madhe të Gazës .
Gjatë një vizite në shërbimin e sigurisë së brendshme të Izraelit, Shin Bet, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se lufta dhe armëpushimi Izrael-Iran kanë hapur shumë mundësi.
“Para së gjithash, për të shpëtuar pengjet”, tha ai. “Sigurisht, do të na duhet të zgjidhim edhe çështjen e Gazës, për të mposhtur Hamasin, por vlerësoj se do t’i arrijmë të dyja detyrat”.
Zyrtari i Hamasit, Mahmoud Merdawi, akuzoi Netanyahun për pengimin e përparimit në arritjen e një marrëveshjeje, duke thënë se udhëheqësi izraelit këmbëngul për një marrëveshje të përkohshme që do të lironte vetëm 10 nga pengjet.



